• e shtunë, 23 nëntor 2024

Stevanoviq për MIA-n: Është siguruar ilaçi për ethet hemorragjike krimea kongo, infermierja është në gjendje stabile

Stevanoviq për MIA-n: Është siguruar ilaçi për ethet hemorragjike krimea kongo, infermierja është në gjendje stabile

Shkup, 9 gusht 2023 (MIA) - Është siguruar ilaçi për ethet hemorragjike krimea kongo, ndërsa infermierja në Klinikën infektive është në gjendje stabile. Informacionin për MIA-n e ka konfirmuar drejtoresha e klinikës, Milena Stevanoviq.

"Menjëherë e kemi furnizuar ilaçin. Shumë rrallë gjendet, është vetëm në vendet ku ka një numër të madh pacientësh të sëmurë. Por në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Mjekët pa kufij, arritëm për një kohë shumë të shkurtër të marrim një sasi të ilaçit, në rast se na duhet për pacienten tonë. Shpresoj se nuk do të kemi një situatë të tillë për ta përdorur. Por nëse kemi nevojë edhe atë ilaç e kemi. Ilaçi jepet vetëm në një situatë tjetër, kur nuk ka zgjidhje tjetër, në rast të një pasqyre klinike jashtëzakonisht të vështirë", ka thënë Stevanoviq për MIA-n.

Siç shtoi ajo, bëhet fjalë për ilaç antiviral që jepet dhe përdoret gjatë viruseve të ndryshme, rrallëherë dhe pak, por përdoret edhe në infeksione të ndryshme virale.

"Dikur e kemi përdorur në trajtimin e hepatitit C kronik, shumë kohë më parë, nuk është një medikament specifik për krimea kongo, por kolegët që trajtojnë krimea kongon në botë në zona endemike me një numër të madh pacientësh, e përdorin atë në rast të një forme shumë të rëndë klinike, si një opsion trajtimi. Pacienti është në gjendje stabile", shtoi Stevanoviq.

Në komunikatën nga Klinika infektive theksohet se pas shfaqjes së rastit të parë në vend pas disa dekadash, të gjitha institucionet shëndetësore në vend kanë reaguar me shpejtësi dhe në mënyrë të koordinuar.

"Pacientja e cila është infektuar gjatë punës, është në gjendje stabile me rritje të herëpashershme të temperaturës, pa simptoma të tjera të sëmundjes. Testet laboratorike të gjakut monitorohen çdo ditë dhe jepet terapi. Në ditët në vijim, sipas zhvillimit të mundshëm të sëmundjes, presim një fazë në të cilën gjendja mund të përkeqësohet. Ilaçi i cili është i vetmi në dispozicion në format e rënda klinike të sëmundjes ka arrit dje në vend, ndërsa dje janë realizuar edhe takime konsiliare me kolegë që monitorojnë këtë sëmundje në botë dhe kanë një përvojë të madhe", theksohet në kumtesën nga Klinika infektive.

Më herët, kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq tha për MIA-n se Komisioni absolutisht qëndron prapa çdo gjëje që është bërë nga ana e Institutit të Shëndetit Publik, masave të ndërmarra dhe rekomandimeve të dhëna.

Nuk duhet të ketë panik lidhur me situatën e re me ethet hemorragjike krimea kongo, nënvizoi ai, duke shtuar se nuk presin më shumë raste në të ardhmen e afërt.

Nga ajo që kanë parë, shtoi ai, rasti i parë është rast i infektimit të drejtpërdrejtë, ndërsa i dyti me gjasë është i transmetimit përmes gjakut të kontaminuar.

Në rastin e parë të infeksionit të drejtpërdrejtë, ka ndërruar jetë një paciente 27-vjeçare pas infektimit nga pickimi i rriqrës. 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR