• e premte, 27 dhjetor 2024

"Standard dhe Purs" e konfirmoi rejtingun kreditor të vendit, ekonomia do të stabilizohet, borxhi do të jetë në nivel stabil

Shkup, 29 korrik 2023 (MIA) - Rritja ekonomike në periudhën afatmesme në vend do të stabilizohet, ndërsa konsumi privat dhe investimet, duke përfshirë edhe investimet kapitale, do të japin shtysë të theksuar në këtë drejtim. Ndikim shtesë në perspektivat ekonomike do të ketë edhe progresi sa i përket integrimit në BE, gjë që do të kontribuojë edhe në përforcimin e kapaciteteve strukturore dhe institucionale, kjo është theksuar në raportin më të ri të Agjencisë "Standar dhe Purs" e cila e konfirmoi rejtingun kreditor të Republikës së Maqedonisë së Veruit BB- me perspektivë stabile.

Në raport bëhet e ditur se vendi do të vazhdojë me konsolidimin fiskal, uljen e inflacionit dhe mbrojtjen e stabilitetit financiar, si dhe me reformat strukturore, ndërsa borxhi do të ruhet në nivel stabil.

Rejtingun kreditor BB- me perspektivë stabile, siç thekson Ministria e Financave, vendi e ka vazhdimisht që nga viti 2013 dhe ka vijuar të ruhet pavarësisht krizës shëndetësore-ekonomike, si dhe krizës së çmimeve dhe asaj energjetike.

"Agjencia thekson se është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet për reforma strukturore, përforcimi i kapaciteteve institucionale gjatë konsolidimit të njëkohësishëm të politikave të qëndrueshme fiskale, të cilat mund të kontribuojnë edhe në rritjen e rejtingut kreditor. Kriza e vitit 2023 do të ketë ende ndikim, por deficiti buxhetor pritet të jetë më i ulët se në vitin 2022 në nivel prej 4.4%, që është më i ulët se projeksionet qeveritare (4.6%). Ligji i miratuar i Buxheteve do të ndihmojë në përshpejtimin e konsolidimit fiskal. Qeveria është e fokusuar në uljen e kostove, ndërsa reforma tatimore pritet t’i përforcojë të hyrat. Borxhi shtetëror pritet të stabilizohet në periudhën afatmesme", informojnë nga Ministria e Financave. 

Në raport theksohet se Qeveria është e përkushtuar në ruajtjen e nivelit të atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte. "Vlerësimi i rejtingut kreditor të një vendi tregon shkallën e riskut për investime në të dhe është një nga indikatorët kyç që investitorët potencialë marrin parasysh gjatë vendimmarrjes së tyre", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave. 

 Paraprakisht, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe politikat e Qeverisë morën konfirmim nga Agjencia “Fitch”, e cila perspektivën e vlerësimit kreditor të vendit e cilësoi nga negative në stabile. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR