• e mërkurë, 25 shtator 2024

Spiropali njihet nga afër me veprimtarinë e ITSHKSH-së

Spiropali njihet nga afër me veprimtarinë e ITSHKSH-së

Shkup, 24 shtator 2024 

 Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast, gjatë qëndrimit në Shkup dhe në Manastir, ajo nga afër është njohur me zhvillimet aktuale politike e sociale në vend. Pos takimeve me autoritetet e larta shtetërore e partiake, Spiropali është takuar dhe me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Prof.dr. Skender Asanin.

Gjatë këtyre takimeve, Spiropali ka marrë nga drejtori Asani informacione të vlefshme mbi trashëgiminë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve dhe ka mbetur e impresionuar nga puna që ka bërë ITSHKSH në ndriçimin e jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut - Nëna Tereze, në kuadër të Departamentit me të njejtin emër. Veprimtaria shkencore e botuese e këtij departamenti, tha Asani, ka qenë ngushtë e lidhur me kauzat civilizuese që promovonte Nënë Tereza. Për t’i ilustruar dimensionet universale e humane të këtyre kauzave, drejtori Asani ia dhuroi Spiropalit disa botime mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze si dhe librin “Familjet katolike shqiptare në Shkup” , një hallkë kjo që lidhë kujtesën tonë historike në kohë dhe hapësira të ndryshme. Takimet e kësaj natyre, vuri në dukej Asani, janë mënyra më e mirë e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërinstitucional me Republikën e Shqipërisë për çështje me interes të përbashkët.

Pos Shkupit, Spiropali zhvilloi vizitë edhe në Manastirin historik, ku pati rast që të njihet drejpërdrejt me disa nga vlerat që trashëgoi Manastiri, sidomos me jehonën iluministe që prodhoi bashkimi gjuhësor i shqiptarëve në Kongresin e Alfabetit (1908). Sipas drejtorit Asani, ITSHKSH është ngusht i lidhur me Manastirin dhe me gjithë historinë e lavdishme të këtij qyteti. Për këtë arsye, njoftoi ai, për çdo vit nga14-22 nëntor, organizohet manifestimi shkencor-kulturor “Ditët e Alfabetit”, si një bashkëngjitje e ngjarjeve me të njejtin karakter që organizohen në Tiranë dhe Prishtinë – “Java e Albanologjisë” dhe “Ditët e Albanologjisë”. Ky ishte edhe një rast që zonj. Spiropali të informohet detajisht me aktivitetet në kuadër të “Ditëve të Alfabetit” dhe me këtë rast asaj iu dhuruan edhe botimet e ITSHKSH-së që ndërlidhen me këtë manifestim.

Foto: TSHKSH

 ____________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR