• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Spiropali: Imperativ është edhe për BE-në edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor t'i konfirmojnë angazhimet e ndërsjella në procesin e aderimit

Spiropali: Imperativ është edhe për BE-në edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor t'i konfirmojnë angazhimet e ndërsjella në procesin e aderimit

Shkup, 23 shtator 2024 (MIA) - Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti i ynë strategjik, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme. Me modesti, por edhe me të drejtën tonë, ne besojmë se BE-ja duhet të vazhdojë të ofrojë rrugë të qartë dhe të qasshme drejt anëtarësimit për të dy vendet tona, si dhe për tërë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Me mbajtjen e politikës kredibile për zgjerim, BE-ja mund t'i stimulojë reformat dhe ta nxit ndjenjën e shpresës dhe orientimit, porositi kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali, e cila sot qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, Spiropali tha se në një të ardhme të afërt, imperativ është edhe për BE-në edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor t'i konfirmojnë angazhimet e ndërsjella në procesin e aderimit.

"Në këtë kontekst, ndjejmë keqardhje për mosplotësimin e obligimit të ndërmarrë nga RMV-së lidhur me ndryshimet kushtetuese. Ata këtu dhe më gjerë shihen si viktimë e përshtatshme me shpërblimin e merituar që mungon. Porositë nga Brukseli gjatë takimit të kryeteres së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen me liderët e Ballkanit Perëndimor japin shpresë se vendet nga rajoni jonë i takojnë Evropës dhe se Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor i afrojnë ekonomitë dhe tregjet e tyre përmes Planit për rritje prej gjashtë miliardë euro për rajonin", tha Spriropali.

Ajo vlerësoi se faktori ndërkombëtar në vend luan rol vendosës në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se në të njëjtën mënyrë edhe maqedonasit në Shqipëri janë urë e fuqishme për lidhje të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

"Në këtë frymë dhe në këtë filozofi, jam e sigurtë se përfaqësimi i drejtë dhe proporcional i shqiptarëve në institucionet e vendit, të bazuar edhe në realitetin gjeopolitik të rajonit dhe në interesin e ndërsjellë, do të vazhdojë në pajtim me standardet bashkëkohore demokratike të shoqërisë multietnike. Ky është një nga kushtet që i garanton përpjekjet për ndërtimin e shoqërisë funksionale multietnike, të bazuar në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Po ashtu jemi të interesuar dhe presim me besim dhe shpresë se Ligji për gjuhët të implementohet plotësisht. Gjuha shqipe, të paktën për ne shqiptarët, është e shenjtë dhe e njëjta ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Shkelja e saj në çdo formë, padyshim që dhemb shumë dhe cenon pikërisht këtë identitet që ne i qasemi në këtë botë të madhe, në rajon dhe më gjerë, si vlerën tonë", tha Spiropali.   

Ajo shtoi se e kupton brengosjen e faktorit shqiptar nga mundësia për ndryshime varësisht nga vendimi i Gjykatës kushtetuese, por, siç tha, pret se shkeljet e tilla do të kenë zgjidhje në pajtim me frymën që e dikton Marrëveshja e Ohrit.

Bashkëpunimi rajonal, sipas Spiropalit, është kyç për interaksionin e shteteve nga rajoni me Bashkimin Evropian, me këtë rast duke potencuar rëndësinë nga realizimi i Korridorit 8.

"Mezi pres që ta kaloj rrugën Tiranë-Shkup dhe anasjelltas përmes këtij korridori", tha Spiropali. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR