• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Spasovski për MIA-n: Konferenca e Interpolit në Ohër është njohje e aktiviteteve të përforcuara ndërkombëtare të MPB-së

Spasovski për MIA-n: Konferenca e Interpolit në Ohër është njohje e aktiviteteve të përforcuara ndërkombëtare të MPB-së

Shkup, 15 maj 2023 (MIA) - Bashkëpunimi aktiv operativ dhe aktivitetet e përforcuara ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme e emëruan Republikën e Maqedonisë së Veriut për nikoqire të Konferencës së 50-të Rajonale Evropiane të Interpolit. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, për MIA-n, thekson se merita që vendi ynë të jetë organizator i kësaj konference të rëndësishme i takon edhe ekipit që në vitet e kaluara e ka përfshirë në mënyrë aktive MPB-në me iniciativa të shumta ndërkombëtare të sigurisë dhe në asociacione rajonale, mbi të gjitha në fushën e punëve të brendshme.

Në konferencën treditore në Ohër, 140 përfaqësues nga 53 vende diskutuan mbi rreziqet e sigurisë nga format e ndryshme të krimit transnacional, trafikut të paligjshëm të drogës dhe armëve, terrorizmit, kërcënimeve hibride dhe krimit kibernetik, por fokusi kryesor ishte në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me qëllim të shtypjes dhe shkatërrimit të kërcënimeve të krimit të organizuar.

Sipas ministrit, kjo konferencë është gjithashtu e një rëndësie të madhe sepse u shënuan tre përvjetorë të rëndësishëm: 100 vjetori i themelimit të Interpolit, 30 vjetori i anëtarësimit tonë në familjen më të madhe policore me 195 vende anëtare dhe 50 vjetori i Konferencës Rajonale Evropiane.

“Kjo konferencë, me përmasa dhe nivel më të lartë policor që Ministria e Brendshme ka pasur ndonjëherë mundësinë të organizojë, erdhi si përgjigje e nominimit tonë në Konferencën e 49-të Rajonale Evropiane të Interpolit majin e kaluar në Lion, ku morëm mbështetjen nga numri më i madh i kandidatëve. Për ne kjo ishte një lloj njohje e aktiviteteve të forcuara ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme në periudhën pas Kovid-it, kur punuam me intensitet të plotë për të krijuar shumë ura miqësie dhe partneriteti, disa prej tyre krejtësisht të reja, duke vendosur kontakte dypalëshe me një numër të madh vendesh, por edhe bashkëpunim aktiv operativ me kolegë nga Evropa dhe më gjerë”, thekson Spasovski.

Për organizimin e një eventi të tillë, ai thotë se duhet të plotësohen kërkesat që vlejnë për të gjitha vendet në mënyrë të barabartë, si në aspektin ceremonial, ashtu edhe në atë të punës, si dhe ofertën për organizimin e kohës së lirë të pjesëmarrësve.

“Evente të tilla nuk tolerojnë improvizim, gjithçka duhet bërë në perfeksion, sepse rasti të jepet, thënë tekstualisht- një herë në 100 vjet. Jam shumë i kënaqur që u treguam organizatorë të shkëlqyeshëm dhe morëm të gjitha vlerësimet nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit, si dhe nga vetë delegatët, shumica e të cilëve vizituan Maqedoninë për herë të parë dhe shprehën dëshirën për të ardhur përsëri, edhe privatisht. Fakti që kemi treguar se mund të qëndrojmë krah për krah me vendet e mëdha kur bëhet fjalë për projekte të mëdha dhe komplekse na jep kënaqësi të veçantë”, thekson Spasovski.

Vendi ynë ka anëtarësim të barabartë në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminalistike që nga viti 1993, që atëherë ka pasur akses të drejtpërdrejtë për të përdorur shërbimet dhe mjetet që janë në dispozicion të të 195 shteteve anëtare. Në përputhje me Statutin e Interpolit, u krijua Byroja Qendrore Kombëtare (BQK), e cila organizativisht është e vendosur në Departamentin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor pranë Byrosë së Sigurisë Publike.

“Me vendosjen e sistemit global të komunikimit të “INTERPOL I-24/7”, vendi ynë u lidh ndër të parët me të në vitin 2003, me qëllim shkëmbimin e informacionit ndërmjet anëtarëve dhe Sekretariatit të Përgjithshëm dhe aksesin e drejtpërdrejtë në global në bazat e të dhënave kriminale. Me vetë anëtarësimin në organizatë, rëndësi të veçantë ka kontributi në bashkëpunimin ndërkombëtar policor që ushqen kjo organizatë. Kjo arrihet përmes aktiviteteve të vazhdueshme të grupeve punuese dhe pjesëmarrjes dinamike në projektet aktuale të iniciuara nga Sekretariati i Përgjithshëm, duke identifikuar nevojat e duhura të ekspertëve nga burimet në dispozicion në Ministri dhe shërbime të tjera për zbatimin e ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sqaron ministri Spasovski.

Byroja Qendrore Kombëtare e Interpolit  në Shkup, në kuadër të MPB-së, në vazhdimësi shkëmben informata operative, njohuri dhe të dhëna në fushën e kërkimeve ndërkombëtare të personave dhe automjeteve, krimit të dhunshëm dhe terrorizmit, krimit financiar, tregtisë ilegale të drogës dhe armëve, kontrolle për origjinalitetin e dokumenteve , identifikimin e personave ...

Ministria e Brendshme, thekson ministri, merr pjesë edhe në aksione të shumta operacionale të koordinuara nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit, me qëllim krijimin e një mekanizmi për shkëmbimin e të dhënave për profile të dyshimta të personave të përfshirë në aktivitete terroriste, të cilët përdorin rrugët e migrantëve me qëllim të infiltrimit më të lehtë, si dhe për përdorimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara.

“Po zhvillohet intensivisht bashkëpunimi me policinë e huaj në shkëmbimin e të dhënave për përballimin më të suksesshëm të sfidave aktuale në fushën e kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Si pjesë e një prej këtyre operacioneve të Interpolit, u identifikuan rrugë transkontinentale për kontrabandën e emigrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore, migrantët e paligjshëm, u kryen kontrolle të kalimit kufitar dhe nisën hetime të reja ndërkombëtare. Njëkohësisht në vendin tonë janë identifikuar 270 migrantë të paligjshëm, ndërsa në të njëjtën kohë janë iniciuar pesë hetime ndërkombëtare me Serbinë, Turqinë, Greqinë dhe Pakistanin”, thekson Spasovski.

Bëhet me dije se në përputhje me legjislacionin vendas, në automjetet e huaja të importuara në vend me bazën e automjeteve të vjedhura kryhen në vazhdimësi kontrolle dhe aktivitete të mëtejshme që ndërmerren me automjetet dhe që janë objekt i kërkimit ndërkombëtar, me qëllim kthimin e tyre tek pronarët e ligjshëm.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Drejtorinë Doganore, ka marrë pjesë në operacionin global të Interpolit CARBACK, me qëllim trajtimin e krimit të automjeteve dhe shkatërrimin e rrjeteve transnacionale që përfitojnë nga ky lloj aktiviteti. Gjatë aksionit janë kryer mbi 1500 kontrolle dhe verifikime për personat e përzgjedhur dhe automjetet motorike, gjatë të cilave janë konfiskuar 10 vetura nën dyshimin për falsifikim, prej të cilave pesë vetura është vërtetuar se janë të falsifikuara”, thekson Spasovski.

Ai kujton gjithashtu pjesëmarrjen në disa operacione të tjera të përbashkëta, një që kishte për qëllim shtypjen dhe shkatërrimin e krimit të kafshëve të egra dhe tregtisë së tyre të paligjshme, si dhe luftën kundër tregtisë së paligjshme të mallrave kulturore, në të cilin aksion u privuan nga liria tetë shtetas të Maqedonisë, në të cilat u gjetën pajisje për minierat ilegale dhe objektet me rëndësi kulturore dhe arkeologjike.

Foto: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR