• e enjte, 26 dhjetor 2024

Spasovski: Nuk duhet ta sjellim shtetin në kushte të izolimit

Spasovski: Nuk duhet ta sjellim shtetin në kushte të izolimit

Shkup, 21 gusht 2023 (MIA) - Nuk duhet ta sjellim shtetin në kushte të izolimit tani kur është momenti i duhur dhe kur për shkak të politikave aktuale gjeostrategjike mund ta shfrytëzojmë rastin dhe të kemi përshpejtim të proceseve eurointegruese të shtetit dhe gjithë rajonit. Më me rëndësi është të kemi një opsion që mund ta çojë vendin përpara, e ai është opsioni evropian, porositi sonte ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

"Perspektiva evropiane e vendit është opsioni i vetëm që kemi dhe nuk ka alternativë tjetër. Ato që në çfarëdo mënyre kundërshtojnë integrimin evropian të vendit nuk kanë asnjë argument pse e bëjnë këtë. Në anën tjetër, ata që besojnë se vendi i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe që nuk duan ta pengojnë në atë rrugë, duhet të jenë ata që duhet ta udhëheqin", ka thënë Spasovski në lajmet e TV Kanal 5 dhe shtoi se duhet mbështetur opsion i vetëm që kemi.

Ai theksoi se duhet bërë të gjitha përpjekjet dhe të përdoren të gjithë mekanizmat politikë dhe e gjithë kjo të bëhet përmes dialogut dhe theksoi se ka ende hapësirë ​​që të bisedohet më tutje dhe të vazhdojnë bisedimet për ndryshimet kushtetuese.

"Situata është plotësisht e pastër dhe janë të qarta qëndrimet që ka shteti dhe jo Qeveria. Flasim për qëndrime që janë përcaktuar me deklaratën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe prandaj nuk ka frikë nga asgjë. Nuk mund të thoni në mënyrë deklarative - ne jemi për anëtarësim të vendit në BE dhe më pas të mos bëni asgjë që do të kontribuoni për këtë, por përkundrazi sa herë kur të ofrohet mundësia që vendi të ecë përpara, ju ta ktheni përsëri prapa", thekson Spasovski.

Ai tha se janë ende të hapur për formimin e qeverisë për shpëtim nacional.

"Të gjitha opsionet për krijimin e një qeverie të tillë ku mund të diskutojmë për ne janë të hapura, sepse konsiderojmë se nuk ka interes më të rëndësishëm se e ardhmja e shtetit dhe e qytetarëve. Asnjë opsion politik, asnjë politikan, asnjë interes partiak nuk mund të jetë më i madh se interesi i Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj", ka thënë ministri Spasovski.

I pyetur nëse do të jetë kandidat i LSDM-së për president shteti në zgjedhjet që duhet të mbahen vitin e ardhshëm dhe kryetar i ardhshëm i partisë, Spasovski tha se nuk dëshiron të japë përgjigje hipotetike për pyetje hipotetike.

"Mund të dëgjojmë shumë kalkulime dhe spekulime që dalin gjatë kësaj periudhe. Për të gjitha çështjet së pari duhet debatuar në partitë politike dhe vendimet e marra nga organet e partisë duhet të jenë para së gjithash në interes të shtetit, e më pas në interes të partisë. Këto janë pyetje hipotetike dhe nuk dua të jap përgjigje hipotetike për pyetje hipotetike. Për këtë do të diskutojmë në parti dhe pastaj do të kemi përgjigje konkrete dhe përfundimtare", ka thënë Spasovski. 

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR