• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Spasovski: Në kufirin jugor qarkullimi i udhëtarëve është rritur për 30 për qind, vetëm në Mexhitlia për 60 për qind

Spasovski: Në kufirin jugor qarkullimi i udhëtarëve është rritur për 30 për qind, vetëm në Mexhitlia për 60 për qind

Shkup, 21 korrik 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dje në kuadër të projektit “Kabineti i Hapur” i MPB-së, ishte në hapësirën e punës të SPB-së Manastir, në të cilën zhvilloi takime me qytetarë, si dhe vizitoi vendkalimin kufitar Mexhitlia, ku mbajti takim pune me udhëheqësinë e Stacionit Policor për Kontrolle Kufitare dhe Çështje Kufitare në Qendrën Rajonale për Punë Kufitare "Jug".

Siç njoftoi sot MPB, qëllimi i vizitës është njohja me kushtet e këtij vendkalimi kufitar dhe Qendrës Rajonale në përgjithësi, duke marrë parasysh të dhënat e regjistruara nga Stacionet e Policisë për monitorimin e kufirit shtetëror, stacionet e kontrollit kufitar, si dhe departamentet dhe seksionet që janë pjesë e QR-së për kufirin Jug.

"Sa i përket qarkullimit të udhëtarëve në kufirin jugor, ai është rritur, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, me 32 për qind. Në SP për VK Mexhitlia kanë kaluar 669.371 udhëtarë, që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, paraqet një rritje prej 60 për qind", thuhet në kumtesën e MPB-së.

Ministri Spasovski nga udhëheqësia e QR për PK “Jug” u informua për gjendjen e kufijve gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, gjatë të cilit janë zbuluar 60 krime dhe 896 shkelje për baza të ndryshme.

Në fushën e migracionit të paligjshëm, QR për PK “Jug”, shton MPB, ka zbuluar 4626 migrantë të paligjshëm në këtë gjashtëmujor, ndërkohë që është vërejtur tendencë për uljen e tentativave me 40 për qind, ndryshe nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ata theksojnë se në seksionin e kontrabandës me migrantë janë zbuluar 27 raste në tentativë për kontrabandim të 243 migrantëve të paligjshëm, ndërsa ndaj 28 autorëve janë ngritur 20 kallëzime penale.

"Në gjysmën e parë të vitit 2023 janë zbuluar 13 dokumente të falsifikuara dhe përdorim të dokumenteve të huaja të udhëtimit. Po ashtu, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për parandalimin e prerjeve dhe transportit të paligjshëm të drurit, ku janë zbuluar 20 raste të prerjeve dhe transportit të paligjshëm të drurit dhe pas një aksioni operativ për parandalimin e tregtisë ilegale të drogës, vetëm në kufirin jugor janë gjetur dhe sekuestruar pesë kilogramë marijuanë", thuhet në kumtesë.

Ministri Spasovski u shpreh i kënaqur me rezultatet e larta të këtyre njësive organizative dhe u sigurua se punonjësit do të vazhdojnë të veprojnë intensivisht në aktivitetet e Ministrisë dhe veprimet operative të BSP-së, duke kërkuar rezultate edhe më të mira në drejtim të përmirësimit të sigurisë së të gjithë qytetarëve. sa/

foto: MPB

video: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR