• e diel, 24 nëntor 2024

Spasovski: Krimi total në rajonin e DPB Kavadar në pesë muajt e kaluar shënon rënie

Spasovski: Krimi total në rajonin e DPB Kavadar në pesë muajt e kaluar shënon rënie

Kavadar, 23 qershor 2023 (MIA)- Sot vazhdojmë me serialin e vizitave në të cilat janë të përfshirë të gjithë sektorët e punëve të brendshme në shtet, në kuadër të projektit të MPB-së, “Kabineti i hapur”, edhe një aktivitet në pajtim me konceptin “MPB për qytetarët”. Qëllimi është që përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët t’i dëgjojmë idetë dhe propozimet e tyre për përmirësimin e sigurisë në komunitetin në të cilin jetojnë, tha ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë vizitës në NJPB Kavadar.

Në këtë mënyrë, sipas tij, dëshmojmë se e vlerësojmë mendimin e çdo qytetari për atë se si policia mund të kontribuojë për qetësi më të madhe.

“Sinqerisht besoj se partneritetin ndërmjet policisë dhe qytetarëve duhet ta orientojmë në mikro nivel, për arsye se qytetarët më së miri dinë për sfidat me të cilat ballafaqohen në komunitetin ku jetojnë. Gjithsesi, edhe takimet me udhëheqësitë e sektorëve dhe njësive të punëve të brendshme janë mundësi e shkëlqyeshme ti shqyrtojmë aktivitetet e realizuara dhe për ti shënuar qëllimet për periudhën e ardhshme. Për këtë, sot me ekipin tim i cili është pjesë e “Kabinetit të hapur”, jam në NJPB Kavadar, në kuadër të SPB Veles”, tha ai.

Gjatë kësaj, ai ndau të dhëna statistikore me të cilat u njoftua në takimin me udhëheqësinë e NJPB Kavadar.

“Në pajtim me të dhënat e prezantuara nga takimi me udhëheqësinë e Njësisë së Punëve të Brendshme Kavadar, kriminaliteti i përgjithshëm në pesë muajt e kaluar, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi rënie për 21,8%, derisa efikasiteti i përgjithshëm në NJPB Kavadar është 52%, kurse në SPB Veles është 59,5%. Rezultate të shkëlqyeshme kemi edhe në pjesën e zvogëlimit të vjedhjeve të rënda për 42,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe zvogëlim në pjesën e kriminalitetit ekonomik për 76,5%”, ka thënë Spasovski.

Në pjesën e tregtisë së palejuar me drogë, gjatë kësaj periudhe nga ana e NJPB Kavadar në bashkëpunim me Departamentin e policisë kriminalistike është parashtruar kallëzim penal kundër subjektit juridik dhe kundër shtetasit të Republikës së Shqipërisë, me vendqëndrim në Kavadar, kurse pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve nga subjekti juridik është sekuestruar marihuanë në sasi të përgjithshme prej një tonelate e 570 kilogramëve.

Trend pozitiv tha ai, kemi edhe në fushën e trafikut ku kemi zvogëlim të numrit të aksidenteve në trafik për 41,3%.

“Në të vërtetë, në pesë muajt e parë janë denoncuar gjithsej 44 aksidente trafiku, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë evidentuar 75 aksidente trafiku. Me kënaqësi të madhe mund të them se në këtë periudhë nuk janë regjistruar aksidente trafiku me pasoja fatale me persona të vdekur, kurse në të njëjtën kohë të vitit të kaluar, për fat të keq ka pasur tre viktima në aksidente trafiku”, theksoi ministri Spasovski.

Nga ana e udhëheqësisë së NJPB Kavadar ai u informua edhe për aktivitetet parandaluese të cilat po zbatohen, si pjesë e konceptit të rregulluar “Policia në komunitet”, i cili ka për qëllim të ofrojë policinë tek qytetarët dhe ta forcojë besimin në institucion.

“Kështu, në pesë muajt e parë të vitit 2023 realizuam 131 aktivitete parandaluese, në tema për dhunën dhe sjellje të dhunshme, bulingu kibernetik, pasoja të dëmshme nga sëmundjet e varshmërisë-droga dhe alkoolizimi, takime dhe punëtori me tifo grupe nga rajoni i Kavadarit, Dita e hapur me policinë, aktivitete të shumta në pjesën e sigurisë në komunikacionin rrugor dhe në pjesën e parandalimit të delikteve pronësore”, tha ministri Spasovski.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR