• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Spasovski: I ndërmarrim të gjitha masat për të festuar me dinjitet përvjetorin e lindjes së Goce Dellçevit

Spasovski: I ndërmarrim të gjitha masat për të festuar me dinjitet përvjetorin e lindjes së Goce Dellçevit

Shkup, 2 shkurt 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski siguron se festimi i 151-vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit do të kalojë sa më mirë. Thotë se policia i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për festim me dinjitet të shtunën.

"Në bazë të vlerësimeve merren masa për të pasur ngjarje që i ka hije shtetit. Presim që gjithçka të shkojë mirë. Po, tensionet u rritën, situata u nxeh më shumë nga radikalët në Maqedoni dhe nga radikalët në Bullgari. Ata gjithmonë gjejnë tokë pjellore kur kemi ngjarje të tilla për të shprehur pikëpamjet e tyre. Gjithmonë ata që janë të pakënaqur me diçka ose ata që duan të abuzojnë me një ngjarje janë më të zëshmit, por kjo nuk do të thotë se janë shumica. Shumica dërrmuese e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dëshirojnë dhe mbështesin që të kemi një festë dinjitoze të kësaj dite dhe kjo do të ndodhë", tha Spasovski në ditarin qendror të televizionit "Sitel".

Në kishën "Shën Spas", siç tha, do të lejohet qasje e të gjitha delegacioneve që kanë paralajmëruar se duan të bëjnë homazhe. Deri më tani, nuk ka paralajmërim për pjesëmarrje të delegacionit zyrtar nga Bullgaria, ndërsa për atë se a do tu lejohet hyrja Angel Xhambaskit dhe Kosta Kostadinovit, vendimi do të merret, siç tha Spasovski, në kohën e duhur. 

Sipas tij, më 4 shkurt Maqedonia e Veriut duhet të tregojë unitet kombëtar. 

"Mendoj se më 4 shkurt pas të gjitha tensioneve të ngritura, Maqedonia e Veriut duhet të tregojë unitet kombëtar. Të tregojmë se jemi një dhe të bashkuar kur bëhet fjalë për interesat tona kombëtare. Nëse atëherë e tregojmë, nuk ka njeri që mund të na kërcënojë dhe nuk ka forcë që mund të jetë më e fortë me propagandë sesa forca e qytetarëve dhe e popullit që duan të arrijnë qëllimet strategjike", tha Spasovski.

Spekulimet që përdoren për qëllime ditore politike, shtoi Spasovski, nuk janë në funksion të uljes së tensioneve dhe prandaj është mirë që të ulen tensionet dhe të jemi të gjithë të përgjegjshëm, sidomos politikanët dhe partitë politike, sepse ata dinë të rrisin tensionet më së shumti. Roje të natës, ruajtje e monumentit dhe kishës nuk janë absolutisht të nevojshme", është kategorik Spasovski.

I mohon akuzat e opozitës se policia po bën presion ndaj anëtarëve të tyre të cilët ishin thirr në stacione policore. Thotë se po bisedohet si parandalim me anëtarë të grupeve të tifozëve dhe anëtarë të grupeve radikale.

Për rastin me sulmin ndaj sekretarit të klubit bullgar në Ohër, ministri tha se nga ana e institucioneve të Maqedonisë së Veriut janë marrë të gjitha masat.

"Institucionet maqedonase reaguan në mënyrë adekuate - edhe autoritetet hetuese dhe shëndetësore i ndërmorrën të gjitha masat", nënvizoi Spasovski. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR