• e enjte, 28 nëntor 2024

Sot festohet 28 Nëntori- Dita e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë

Sot festohet 28 Nëntori- Dita e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë

Shkup, 28 nëntor 2024 (MIA)- Shqipëria sot feston 112- vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Dita e 28 Nëntorit për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit. Sot është poashtu edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Me aktin e Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Akti i shpalljes së pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Në nder të festës së 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit sot organizohen aktivitete të ndryshme si në Maqedoni të Veriut, Kosovë e Shqipëri dhe anembanë botës ku gjenden shqiptarë.

Foto: Kosovapress

 

QËNDRONI TË LIDHUR