Halil Snopçe ironizon LD-në për "pastrimin" nga e kaluara politike
- Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përfaqësuesve të Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit lidhur me formimin e një blloku opozitar. Snopçe ka vënë në pikëpyetje moralin politik të ish-funksionarëve të BDI-së, të cilët, sipas tij, sot sillen sikur nuk kanë qenë kurrë pjesë e strukturave që kanë prodhuar korrupsion dhe keqqeverisje.
- Post By Fami Bajrami
- 12:30, 19 gusht, 2025
Shkup, 19 gusht 2025
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përfaqësuesve të Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit lidhur me formimin e një blloku opozitar. Snopçe ka vënë në pikëpyetje moralin politik të ish-funksionarëve të BDI-së, të cilët, sipas tij, sot sillen sikur nuk kanë qenë kurrë pjesë e strukturave që kanë prodhuar korrupsion dhe keqqeverisje.
“Kur i shoh reagimet e njerëzve nga LD-ja e Izetit në lidhje me koalicionin opozitar, në mënyrë të pashmangshme lind një pyetje për të cilën duhet kërkuar ndihmë nga vet ata: Te cili hoxhë kanë bërë ekzorcizmin që aq mirë qenkan pastruar nga ‘djalli’ – pra, nga korrupsioni, zhvatja, nepotizmi dhe uzurpimi i institucioneve – që sot vet ata e quajnë BDI?”, shkruan Snopçe.
Ai shton se përfaqësuesit e kësaj partie flasin sikur janë shfaqur në skenën politike vetëm ditën që kanë dalë nga BDI-ja, duke mohuar përgjegjësinë për vendimet dhe veprimet e së kaluarës.
“Sot ata flasin sikur të kenë ardhur në këtë botë atë ditë kur kanë dalë nga BDI-ja. Sipas tyre, gjithçka që është bërë keq në kohën e BDI-së e kanë bërë të tjerët. Ata na paskan qenë të pastër. Secili do e kishte lakmi këtë ‘katarsis’ që paska ndodhur me këtë parti,” përfundon shkrimin e tij në rrjetet sociale deputeti i ASh-së.
Aleanca për Shqiptarët
__________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.