• e shtunë, 23 nëntor 2024

Sindikata e pilotëve evropianë kundër idesë së "fluturimeve me ekuipazh më të vogël"

Sindikata e pilotëve evropianë kundër idesë së

Bruksel, 4 shkurt 2024 (MIA) - Shoqata Evropiane e Pilotëve është shprehur kundër idesë së "Erbas" për aeroplanë të automatizuar me vetëm një pilot në fluturim, duke thënë se industria e linjave ajrore vendos "përqendrimin në interesat komerciale përpara sigurisë".

Sipas kreut të sindikatës evropiane të pilotëve, Otjan de Brajn, teknologjia e re me rritjen e automatizimit të aeroplanëve për të cilën insiston industria e linjave ajrore, vetëm sa do të rrisë vlerën e tyre përfundimtare, në kurriz të sigurisë së aeroplanëve.

Si dëshmi e qëndrimit të tij, De Brajn tregon idenë e prodhuesit më të madh të aeroplanëve në botë, "Erbas", për aeroplanë të automatizuar me vetëm një pilot në fluturim.

Është një nismë e "Erbas" e quajtur "fluturime me ekuipazh minimal", e cila propozon një ndryshim në rregulloren e BE-së që do t'i lejonte aeroplanët të fluturojnë vetëm me një pilot, me teknologjinë e automatizuar që merr në thelb rolin e bashkëpilotit. Për më tepër, sipas propozimit të "Erbas", fluturimet me distanca të gjata do të kishin vetëm dy pilotë në vend të tre.

Sipas rregullave aktuale, siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në kabinë duhet të jenë gjithmonë dy pilotë. Kjo është arsyeja pse në fluturimet më të gjata, aeroplanët kanë tre pilotë për të siguruar që në çdo moment të jenë dy prej tyre përpara kabinës, ndërsa i treti mund të pushojë.

"Erbas" beson se teknologjia e tij është mjaft e sofistikuar për të lejuar një pilot të vetëm të fluturojë vetëm me aeroplanë të avancuar. Sipas kompanisë, në fluturime të tilla do të shkonin vetëm "pilotët me përvojë, të cilët do t'i nënshtroheshin testeve mjekësore si dëshmi për gatishmërinë e tyre".

Por de Brajn nuk pajtohet me këtë propozim, duke thënë se një fluturim me "më pak se dy pilotë është i paimagjinueshëm edhe me teknologjinë më të sofistikuar të disponueshme aktualisht".

Sipas tij, teknologjia mund të dështojë dhe më pas përgjegjësia bie mbi pilotët.

"Duke ulur numrin e pilotëve, ju zvogëloni shanset që ata pilotë të jenë në gjendje të zgjidhin probleme të tilla, beson sindikalisti i parë evropian.

Për frikën e De Brajn, "Erbas" vlerësoi se "pilotët do të mbeten në thelb të fluturimeve" dhe automatizimi do të luajë "një rol kyç në ndihmën e kabinës dhe reduktimin e ngarkesës së punës" të pilotëve.

Sipas kompanisë, në të ardhmen e parashikueshme aeroplanët do të përfaqësojnë një "sistem të fortë dhe fleksibël me automatizimin e duhur në të cilin rolin qendror do ta luajë një pilot i pushuar dhe kompetent".

Ideja është aktualisht në shqyrtim nga Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të BE-së (EASA), e cila ka përjashtuar "fluturimet me një pilot" para vitit 2030, për shkak të "papjekurisë teknologjike".

Sipas EASA, për të miratuar "fluturimet me një pilot" prodhuesit e aeroplanëve "do të duhet të demonstrojnë se nivelet e sigurisë do të jenë po aq të larta sa operacionet aktuale me dy pilotë".

Por De Brajn beson se në vend që të shprehë "shqetësim" për këtë propozim të "Erbas", EASA po bën "gjithçka që mundet për të shpejtuar certifikimin dhe miratimin e rregullave të reja".

Sipas De Brajn, EASA është bërë "shumë e afërt" me prodhuesit e aeroplanëve për të kryer vlerësime të pavarura.

EASA hedh poshtë akuza të tilla, duke theksuar se bashkëpunimi me industrinë ajrore "kryhet sipas parimeve të transparencës dhe përfaqësimit".

"EASA është e lidhur me një kod shumë të rreptë të etikës dhe ne hedhim poshtë çdo supozim për marrëdhënie shumë të ngushta me prodhuesit e avionëve dhe linjat ajrore si të pabaza faktike", theksoi Agjencia. sa/

Foto: Iks/ Fejsbuk/Erbas

 

QËNDRONI TË LIDHUR