• e shtunë, 23 nëntor 2024

Siljanovska-Davkova nesër do ta fillojë mandatin e saj presidencial me deklaratë solemne në Kuvend

Siljanovska-Davkova nesër do ta fillojë mandatin e saj presidencial me deklaratë solemne në Kuvend

Shkup, 11 maj 2024 (MIA) - Presidentja e sapozgjedhur e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova nesër në mesditë do të japë deklaratë solemne në seancën inauguruese në Kuvend, në përputhje me nenin 81 paragrafi 9 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Seanca është caktuar pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot në seancë i publikoi rezultatet përfundimtare për zgjedhjet presidenciale, të mbajtura më 24 prill dhe 8 maj, dhe e dorëzoi raportin në Parlament.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski ia ndau certifikatën Siljanovska-Davkovës për zgjedhje të presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe në emër të Komisionit i uroi mandat të suksesshëm.

"Certifikata i paraprin gjithmonë shpalljes që do të bëhet nesër në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Kurorëzimi formal apo finalja formale e zgjedhjeve", deklaroi për MIA-n Siljanovska-Davkova pas pranimit të certifikatës nga KSHZ.

Deklaratën solemne ajo nesër do ta bëjë para deputetëve të përbërjes së vjetër parlamentare, pas së cilës do të fillojë mandati i saj presidencial pesëvjeçar. Postin presidencial do ta marrë nga Stevo Pendarovski, kundërshtari i saj në këto dhe zgjedhjet e mëparshme të vitit 2019, mandati i të cilit skadon nesër.

Profesoresha universitare Gordana Siljanovska - Davkova do të jetë presidenti i gjashtë i Maqedonisë së Veriut dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë pozitë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR