• e mërkurë, 21 janar 2026

Siljanovska-Davkova: Në vitin 2026 pres krijimin e një klime më të favorshme për biznesin, rritje të qëndrueshme dhe standard më të mirë për qytetarët

Siljanovska-Davkova: Në vitin 2026 pres krijimin e një klime më të favorshme për biznesin, rritje të qëndrueshme dhe standard më të mirë për qytetarët

Shkup, 17 dhjetor 2025 (MIA) - Jetojmë në një kohë sfidash globale gjeopolitike dhe ekonomike. Periudha e rimëkëmbjes pas pandemisë së Kovid-it, presionet inflacioniste dhe kriza energjetike kanë lënë gjurmë të thella në ekonomitë e botës, ndërsa ndikimi i tyre nuk na ka lënë jashtë edhe neve gjithashtu. Si pjesë e tregut rajonal, evropian dhe global, ekonomia  e Maqedonisë së Veriut është e ekspozuar ndaj këtyre turbulencave. Prandaj, roli i shtetit është kyç në krijimin e parakushtave të përshtatshme për ristrukturim të shpejtë, zhvillim dhe mbështetje sistematike të biznesit. Sinqerisht, shpresoj dhe pres që viti 2026 të jetë i orientuar drejt krijimit të një klime më të favorshme dhe më konkurruese për biznesin, që do të rezultojë me rritje të qëndrueshme dhe standard më të mirë për qytetarët, tha sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova para dhënies së mirënjohjes "Cilësia e Maqedonisë“ për vitin 2025, që e ndanë Lidhja e Odave Ekonomike (LOE) nën mbikëqyrjen e saj.

Presidentja vuri në dukje se çmimet nuk janë një dhuratë rastësore, por një pasojë logjike e mendimit strategjik dhe investimit sistematik në kapitalin krijues njerëzor, si dhe në teknika dhe teknologji bashkëkohore.

"Ne i njohim, i afirmojmë dhe i shpërblejmë vlerat si standardi, cilësia, përgjegjësia dhe përkushtimi. Çmimet konfirmojnë se suksesi është rezultat i vizionit, këmbënguljes, dijes dhe guximit. Kompanitë që i shpërblejmë personifikojnë pjekurinë dhe potencialin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut për të krijuar modele të qëndrueshme rritjeje, për të gjeneruar inovacione dhe për të mbajtur një klimë biznesi dinamike, por të qëndrueshme",  potencoi Siljanovska-Davkova.

Para të pranishmëve u drejtua edhe kryetari i LOE-së, Goran Gjorgjievski.

“Mirënjohja e Maqedonisë së Veriut për cilësi është simbol i standardeve të larta, profesionalizmit dhe vizionit për zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë sonë. Në një botë moderne dhe shumë konkurruese, cilësia nuk është më një burim, por një domosdoshmëri. Do të thotë besim te konsumatorët, stabilitet te kompanitë dhe konkurrueshmëri afatgjatë e ekonomisë kombëtare", theksoi Gjorgjievski.

Mirënjohje morën 11 kompani. qa/ 

QËNDRONI TË LIDHUR