• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Siljanovska Davkova - Pelegrini: Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është peng i bilateralizimit të zgjerimit

Siljanovska Davkova - Pelegrini: Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është peng i bilateralizimit të zgjerimit

Shkup, 12 nëntor 2024 (MIA) - Marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale, eurointegrimet e vendit, si dhe nevoja për paraqitje të përbashkët rajonale në tejkalimin e sfidave globale, kanë qenë temë e bisedës së presidentes Gordana Siljanovska Davkova me kolegun e saj sllovak, Peter Pelegrini në margjinat e Samitit për ndryshime klimatike (KOP29) në Baku.

Siç kumtoi Kabineti i Siljanovska Davkova, presidenti sllovak në takim ka vlerësuar se eurointegrimi i vendit është peng i bilateralizimit të zgjerimit të BE-së, me ç'rast ka theksuar se Sllovakia është përkrahës i fuqishëm i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Bratisllava e ka kritikuar bllokadën e eurointegrimit të vendit në shumë takime të Këshillit të BE-së.

Presidentja Siljanovska Davkova ka theksuar se lartë e çmon përkrahjen e deritanishme nga Sllovakia për rrugën tonë eurointegruese dhe ka shprehur bindje se ndihma e ndërsjellë do të vazhdojë edhe më tej në pjesën e mëtejshme të procesit të aderimit tonë në Bashkimin Evropian.

Presidentja ka shprehur kënaqësinë për zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë dhe bindjen për bashkëpunim edhe më të suksesshëm dhe më të frytshëm në periudhën në vijim. Si aleate e NATO-s, presidentja Siljanovska Davkova shprehu besimin për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. bsh/

Foto: Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska Davkova

 

QËNDRONI TË LIDHUR