• e shtunë, 23 nëntor 2024

Siljanovska Davkova do ta nënshkruajë dekretin e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore

Siljanovska Davkova do ta nënshkruajë dekretin e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore

Shkup, 8 qershor 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova është e obliguar ta nënshkruajë dekretin e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, pasi bëhet fjalë për ligj sistematik, i cili miratohet me shumicë prej dy të tretave.

"Kabineti i presidentes tregon se Ligji për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore është ligj sistematik, respektivisht miratohet me shumicë prej dy të tretave, pra në pajtim me nenin 75 të Kushtetutës, Presidenti nuk ka të drejtë për veto ndaj të njëjtit, respektivisht është i obliguar ta nënshkruajë dekretin", kumtuan sot nga Kabineti i Siljanovska Davkova.

Kuvendi me 88 vota “për” dhe 22 “kundër” mbrëmë i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, me çka, siç u theksua, krijohen kushtet për formimin e një qeverie të re, e cila duhet të udhëhiqet nga mandatari dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Për ndryshimet e Ligjit kanë votuar deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, të koalicionit VLEN dhe të partisë ZNAM, si dhe deputetë të Frontit Evropian, të udhëhequr nga BDI-ja. VMRO-DPMNE dhe Fronti Evropian mbrëmë njoftuan se kanë arritur marrëveshje për mbështetjen e ndryshimeve, si dhe për formimin e një komisioni ad hok në Kuvend për përfaqësim të drejtë. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR