• e premte, 22 nëntor 2024

Sigurim i përforcuar policor rreth kishës "Shën Spasi", qasje kanë vetëm delegacionet e akredituara dhe gazetarët

Sigurim i përforcuar policor rreth kishës

Shkup, 4 shkurt 2023 (MIA) - Sigurim i shtuar policor rreth kishës “Shën Spasi” dhe përgjatë gjithë gjatësisë së rrugëve që çojnë drejt tempullit, ku sot disa delegacione duhet të vendosin lule mbi varrin e Goce Dellçevit me rastin e 151 vjetorit të lindjes së tij.

Policia i kontrollon hyrjet në kishë, ndërsa qasje kanë vetëm gazetarët e akredituar që kalojnë disa kontrolle sigurie.

Në varrin e Dellçevit në kishën “Shën Spasi” do të vendosin lule delegacione të institucioneve shtetërore, partive dhe të shoqatave civile.

Sipas paralajmërimeve, homazhe para varrit të Goce Dellçevit do të bëjnë presidenti Stevo Pendarovski, një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, në përbërje të të cilit janë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Artan Grubi dhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, si dhe një delegacion i Kuvendit, i kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, i shoqëruar nga deputetët Snezhana Kaleska-Vançeva dhe Lupço Prenzov.

Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë njoftoi se mbi varrin e Goce Dellçevit në Shkup do të vendosin lule zëvendëskryeministri bullgar i Rendit dhe Sigurisë Publike dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev dhe zëvendësi i tij Vençisllav Katinov.

Që të enjten nga ora 18:00 është mbyllur për qarkullim rruga “Samoillova” në shtegun nga rruga “Iljo Vojvoda” deri në kryqëzimin me rrugën “Prohor Pçinski”, ndërsa sot do të vendoset regjim i veçantë edhe në rrugën “Llazar Liçenoski”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ditëve të fundit në disa raste ka deklaruar se policia ka kapacitete që të mundësojë një festë dinjitoze të përvjetorit të lindjes së Goce Dellçevit. mb/

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR