Shumer: Kaosi në Venezuelë sapo ka filluar, "Kutia e Pandorës" është hapur
- Lideri demokrat në Senatin e SHBA-së, Çak Shumer ka akuzuar administratën e presidentit Donald Tramp se nuk ka plan për atë që do të ndodhë në Venezuelë, duke paralajmëruar se deklaratat e paqarta të Trampit se SHBA do të “menaxhojnë” me vendin, janë një recetë për “kaos”.
- Post By Fami Bajrami
- 11:05, 6 janar, 2026
Uashington, 6 janar 2026 (MIA) – Lideri demokrat në Senatin e SHBA-së, Çak Shumer ka akuzuar administratën e presidentit Donald Tramp se nuk ka plan për atë që do të ndodhë në Venezuelë, duke paralajmëruar se deklaratat e paqarta të Trampit se SHBA do të “menaxhojnë” me vendin, janë një recetë për “kaos”.
Duke folur në sallën e Senatit, Shumer tha se “Maduro është një tiran dhe askush nuk pendohet për atë që i ndodhi”, duke iu referuar arrestimit të presidentit të Venezuelës të shtunën.
“Por pyetja kryesore tani është se çfarë do të ndodhë me Venezuelën dhe më e rëndësishmja për SHBA-në. Askush nuk e di vërtet. Narrativa e administratës po ndryshon orë më orë”, tha Shumeri.
“Nuk ka plan, nuk ka qartësi - vetëm kaos”, shtoi ai.
Shumeri paralajmëroi se “rreziku në Venezuelë sapo ka filluar” dhe se Trampi ka “hapur Kutinë e Pandorës” ku situata mund të dalë jashtë kontrollit shumë shpejt. Ai paralajmëroi gjithashtu se pasojat mund të jenë edhe më të rënda nëse Trampi përpiqet t’i bëjë Kolumbisë ose Grenlandës atë që i bëri Venezuelës.
Ndërsa lexonte një fjalim të përgatitur, Shumeri në një moment nën huti tha "Lufta e Vietnamit", përpara se të korrigjonte veten dhe të thoshte "Lufta e Venezuelës".
Në fund, ai tha se "hapi tjetër i Kongresit është i qartë" dhe se "çmenduria" e Trampit duhet të ndalet me aktivizimin e Ligjit për autorizime luftarake duke paralajmëruar se këtë javë do t'i bashkohej votimit për rezolutën që do të kufizonte autorizimet e presidentit.
Foto: EPA