• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shumë kandidatë të mundshëm për kryetar të LSDM-së pas dorëheqjes së Kovaçevskit

Shumë kandidatë të mundshëm për kryetar të LSDM-së pas dorëheqjes së Kovaçevskit

Shkup, 23 maj 2024 (MIA) - Emrat e shumë kandidatëve të mundshëm, sipas shkrimeve në media, janë në lojë për pozitën e liderit të LSDM-së pasi Dimitar Kovaçevski dje zyrtarisht dha dorëheqje nga funksioni pas humbjes së partisë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. 

Drejtori aktual i Drejtorisë Doganore Stefan Bogoev në pyetjen nëse do të kandidohet për kryetar të partisë, në deklaratë për MIA-n thotë se ende nuk ka vendosur. 

"Jo, nuk kam marrë vendim ende nëse do të kandidohem", thotë Bogoev.

Jovan Despotovski, i cili është njeriu i parë në Drejtorinë e Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, në një emision në Televizionin 24, i pyetur nëse planifikon të kandidohet për pozitën e kryetarit të LSDM-së, siç këtë e ka bërë në zgjedhjet e brendshme partiake para tre vjetëve, thotë se mendon në atë drejtim.

"Unë tashmë hapin e bëra para tre vjetëve. Kur vlerësova se partia nuk po shkon në drejtim të mirë ofrova alternativë. Të njëjtën gjë do ta bëj edhe tani. Se a do ta formalizoj këtë përmes kandidaturës, përsëri do të tregoj, nuk është koha për ambicie personale dhe për realizimin e ndonjë dëshire nga fëmijëria", thotë Despotovski.

Për kandidaturë për pozitën e liderit, siç njoftuan një pjesë e mediave, mendon edhe ministrja aktuale e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. 

"Mendoj të kandidohem për kryetare të LSDM-së, por vendimin përfundimtar do ta marr pasi që të fillojë procedura", deklaroi Petrovska në fillim të kësaj jave për "Fokus". 

Në disa prej mediave përmenden edhe emrat e Oliver Spasovskit dhe Venko Filipçes.

Bordi Ekzekutiv i LSDM-së në mbledhjen e djeshme e angazhoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që në bazë të Statutit të partisë të propozojë rregullore me propozim rregullore për zbatimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta brenda partisë gjatë qershorit në procedurë transparente dhe demokratike.

"Meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i zgjedhur sipas Statutit ka ende mandat, në të njëjtën përbërje do të kryejë procedurën për zgjedhje të reja të menjëhershme brendapartiake për zgjedhjen e kryetarit të LSDM-së. Bordi ekzekutiv e ngarkoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të Statutit të partisë, që të propozojë rregullore me afat të propozuar për realizimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta brendapartiake gjatë muajit qershor në një procedurë transparente dhe demokratike", thuhet në komunikatën e LSDM-së. 

Dimitar Kovaçevski në mbledhje e ka konfirmuar tërheqjen nga funksioni kryetar i LSDM-së dhe ka inicuar konvokim të Kongresit llogaridhënës. 

"Anëtarët e Bordit Ekzekutiv, si dhe anëtarët e udhëheqësisë së LSDM-së, nënkryetarja, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, sekretari organizativ, sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre. Njëkohësisht, sipas dorëheqjeve të dorëzuara, si akt moral përgjegjësie, bëhet thirrje që të ndjekin shembullin edhe anëtarët e Bordit Qendror", thuhet në kumtesë.

Me tërheqjen e kryetarit të LSDM-së, siç informojnë nga partia, të gjithë kryetarët e Organizatave Komunale dhe kryetari i Organizatës Qytetare janë në dorëheqje duke pasur parasysh faktin se janë emëruar nga ana e kryetarit, ndërsa funksionin e tyre do ta kryejnë deri në zgjedhjen e të rinjve. 

Deri më tani, në krye të partisë ishin Branko Cërvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmilla Shekerinska dhe Zoran Zaev. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR