• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shtyhet gjykimi kundër kryetarit të komunës së Strugës për furnizimin e automjetit luksoz

Shtyhet gjykimi kundër kryetarit të komunës së Strugës për furnizimin e automjetit luksoz

Strugë, 26 prill 2024 (MIA) - Në Gjykatën Themelore në Strugë sot ka filluar procesi gjyqësor kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko për blerjen e makinës luksoze “Audi A6” në vlerë 67 mijë euro. Pas kërkesës së mbrojtjes për shqyrtim të plotë të dosjeve, gjykatësja Nadica Mitreska e shtyu seancën kryesore për 3 qershor të këtij viti. 

Në seancën e sotme nuk mori pjesë as i akuzari e as avokati i tij, Igor Petkoski. 

Dosjet e lëndës, siç ka sqaruar gjyqtari në një procesverbal digjital do t'i kalojnë avokatit të të akuzarit në një USB i cili ka 27 dosje në formatin PDF.

Avokati i Merkos, Igor Petkovski në bisedën telefonike për mediat theksoi se me propozimin e akuzës klientit të tij nuk i janë dorëzuar dëshmitë e cekura në listën e dëshmive nga Prokuroria që është detyrim ligjor dhe kushtetues kur dikush ndiqet penalisht. Ai sqaroi se për shkak vëllimit, materiali duhej t'i dorëzohej në USB, por për arsye teknike, Gjykata nuk mundi t'ua kalonte materialet para afatit për gjykim, në mënyrë që ata të shqyrtojnë provat dhe të përpilojnë listën e dëshmive për mbrojtjen. 

"Për këto arsye ne kërkuam shtyrje, sepse nuk kishim dëshmi, ndërsa në të njëjtën kohë, gjykatësi që më 18 prill është njoftuar se më parë kam qenë i ftuar në gjyqin e Manastirit si mbrojtës i një klienti tjetër për një çështje më të vjetër se ky. Qëllimi ynë nuk është të vonojmë procesin, por qëllimi ynë është kur shikojmë dëshmitë në akuzë të kundërshtojmë dëshmitë e mbrojtjes me te cilat do t'i kontestojmë ato dëshmi dhe të vërtetojmë tezën se nuk ka përgjegjësi nga ana e kryetarit të komunës pas kësaj pune", tha ai. 

Prokurori Publik në Prokurorinë Themelore Publike Strugë, Nikolla Joleski sqaroi se bëhet fjalë për propozim aktakuzë dorëzuar nga Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Gjykatën Themelore në Shkup. Për arsye procedurale, sqaroi, akuza ka kaluar në kompetencë të Gjykatës Themelore në Strugë.

"Aktakuza është keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1. Ne do ta vërtetojmë teorinë tonë të rastit, mbrojta të tyren, kështu që në fund është Gjykata ajo që do të vendosë se çfarë ka ndodhur realisht. Ne besojmë se ka vepër penale, do ta mbështesim aktakuzën e paraqitur nga PTHP NKOK Shkup", deklaroi Joleski. 

Me ndryshimet e fundit në Kodin penal për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare – neni 353, parashikohet dënim me burg nga një deri në katër vjet. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR