• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shqiptarët me nivelin më të lartë prej 31 për qind për emigrim në Ballkan

Shqiptarët me nivelin më të lartë prej 31 për qind për emigrim në Ballkan

Tiranë, 19 nëntor 2023 (MIA) - Rezultatet nga hulumtimi i zbatuar në periudhën maj-qershor të këtij viti në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor treguan se Shqipëria megjithëse ka përjetuar deri më tani emigracion më të fortë në rajon, ende ka potencial të lartë të largimit nga vendi sidomos për të rinjtë e arsimuar, qëndron në analizën e Këshilit Rajonal për Bashkëpunim pas anketës së barometrit të sigurisë për vitin 2023. 

Anketa në të cilën ishin përfshirë rreth 6.000 persona në Ballkan tregoi se, 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi.

"Por më rëndësishmja është se, 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur. Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në të vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht por përgjithmonë. Nga pjesa e shqiptarëve që janë shprehur të gatshëm për të ikur, pothuajse 44 për qind duan të emigrojnë në mënyrë të përhershme, që është niveli më i lartë në rajon. Ata që synojnë të largohen, në përgjithësi, përqendrohen në grupin aktiv të punës 18-44, ndërsa ata që nuk duan të largohen dominojnë grupin 45-65+ të popullatës", shtohet në analizë.

Pavarësisht një tkurrjeje nga viti 2022, planet për emigracionin vazhdojnë në rajon dhe kryesisht në Shqipëri, duke shndërruar fenomenin e largimit në një prirje të qëndrueshme. Analiza e RCC tregon se një prirje e tillë padyshim do të thellojë krizën demografike, për shkak të një kombinimi të rrezikshëm të migrimit të vazhdueshëm dhe plakjes së popullsisë.

Kjo situatë krijon kushtet për më shumë mungesa të fuqisë punëtore, i konsideruar tashmë si një "emergjencë për Shqipërinë".

"Në Shqipëri faktorët shtytës që nxisin emigracionin lidhen me arsyet ekonomike dhe mosbesimin në institucione. Në të njëjtën kohë zgjerimi i rrjeteve familjare dhe numri i atyre që mund të përdorin këto lidhje përforcohen, duke nxitur më tej flukset dalëse të migracionit. Nga ana tjetër, prirja migratore e të anketuarve të mirë-arsimuar në mënyrë të pashmangshme përforcon problemet e ikjes së trurit tashmë të pranishme në ekonomitë rajonale. Largimi i tyre po çon në performancë të dobët në të gjitha fushat dhe gërryerje të përgjegjësisë në vend", konstatohet në analizë. 

Sipas të dhënave të publikuar këto ditë të Institutit shqiptar për Statistika, INSTAT, për periudhën prej 2011-2019 gjithsej 250 mijë qytetarë shqiptarë janë larguar nga shteti, gjegjësisht nga 100 qytetarë shqiptarë çdo ditë janë larguar nga vendi. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR