• e martë, 24 dhjetor 2024

Shollci paralajmëroi dinamikë të re në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, pa pengesa nga kontestet dypalëshe

Shollci paralajmëroi dinamikë të re në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, pa pengesa nga kontestet dypalëshe

Berlin, 27 mars 2024 (MIA) - Kancelari gjerman Ollaf Shollc sot deklaroi se fuqishëm angazhohet për përshpejtimin e procesit për hyrje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por se të gjthë që shpresojnë në anëtarësim në BE duhet të jenë të vetëdijshëm se ai nuk është vendim gjeopolitik, por proces i cili ka lidhje me hapat konkret të reformave. 

Ai sqaroi se kjo ka të bëjë me zgjidhjen e kontesteve dypalëshe të cilat përfaqësojnë pengesë, thuhet në transkriptën nga konferenca për media e Shollcit me kryeministrin slloven Robert Golob, të publikuar në ueb-faqen e kancelarit gjerman. 

"Kjo ka të bëjë, për shembull, çështjes se si t'i jepet gjallëri procesit me Maqedoninë e Veriut, pa u penguar nga mosmarrëveshjet midis shteteve anëtare. Kjo vlen edhe për çështjen Serbi-Kosovë dhe sigurisht edhe për çështjen se si të vazhdohet me Bosnjën dhe Hercegovinën", shpjegoi Shollci.

Ai shtoi se BE-ja tani nuk do të qëndrojë vetëm në një anë si vëzhguese, por konretisht do të bëjë përpjekje të arrijë progres në reformat e nevojshme në BeH.

"Për të gjithë ata që shpresojnë për anëtarësim në BE, është e vërtetë që nuk është një proces vendimmarrës i bazuar në gjeopolitikë, por një proces që lidhet gjithmonë me hapa të veçantë reformues. Kjo vlen për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vlen veçanërisht për Moldavinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Dhe ne të gjithë do të ndihmojmë të arrijmë përparim sa më shpejt të jetë e mundur", tha Shollci.

Kancelari gjerman vlerësoi edhe se Procesi i Berlinit, të cilin e vendosi paraardhësja e tij Angela Merkel, u vërtetua si instrument për fuqizimin e bashkëpunimit konkret të Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëroi se ky bashkëpunim do të intensifikohet që të arrihet progres në gjithë rajonin. 

Kryeministri slloven Robert Golob falënderoi Shollcin "për dëgjimin dhe ndihmën për të bërë përparim në Këshillin Evropian kur bëhet fjalë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor".

"Mendoj se kancelari e kuptoi menjëherë se sa e rëndësishme është që ato vende të bëhen anëtarë të BE-së, që të gjitha vendet nga Ballkani Perëndimor të gjenden në rrugën drejt Evropës. Dhe kur i bindi vendet e tjera në Këshillin Evropian dhe ata që ishin skeptikë, kancelari luajti një rol të rëndësishëm dhe për këtë ne të gjithë nga Ballkani Perëndimor duhet t'i jemi mirënjohës", tha Golob. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR