• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shkupjanët ankohen për ajrin e ndotur, personat mjekësor thonë se maskat mbrojtëse nuk janë zgjidhje

Shkupjanët ankohen për ajrin e ndotur, personat mjekësor thonë se maskat mbrojtëse nuk janë zgjidhje

Shkup, 11 nëntor 2024 (MIA) - Shkupi këto ditë sërish është në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Ajri është i ndotur edhe në qytete tjera, ndërsa qytetarët apelojnë që kompetentët të marrin masa adekuate.

Pasdite në listën e IQAir Shkup është në vendin e 23-të ndërsa sipas matjeve të tyre vlerësohet se ajri nuk është mjaft i shëndetshëm për kategori të ndjeshme të qytetarëve.

Paraditen e djeshme, kryeqyteti ishte ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë. Sipas listës së IQAir, ajri është i rrezikshëm për të marrë frymë, dhe indeksi i ndotjes është 153. Në listën e IQAir, Shkupi u rendit si qyteti i gjashtë më i ndotur në botë pas Lahores në Pakistan, Nju Delhit në Indi, Bagdadit në Irak, Teheranit në Iran dhe Tashkentit në Uzbekistan.

Mjekja Lilija Çolakova Dervishova, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privatë, në një prononcim për MIA-n tha se çdo vit është njësoj, dhe njerëzit duhet të shkojnë në punë, të lëvizin. Sipas saj, ajri është i ndotur për shkak të rritjes së numrit të automjeteve dhe zonave të dendura të populluara, dhe objektet industriale duhet të jenë më larg nga zonat e banuara. Maskat mbrojtëse nuk mund të ndihmojnë shumë kur bëhet fjalë për ajrin e ndotur.

"Problemi është sistematik. Pra, shteti duhet të lehtësojë fillimisht qytetet e mëdha. Duhet të ketë decentralizim të institucioneve kryesore, ambasadave, nuk mund të jetë gjithçka në Shkup. Të gjithë kërkojnë paga të mira, duke u zhvendosur në Shkup, por thjesht Shkupi po mbytet", thotë ajo.

Qytetarët e pakënaqur, përveç ajrit të ndotur, ankohen edhe për mosrespektim të masave në disa restorante dhe lokale, ku lejohet pirja e duhanit në ambiente të mbyllura, ndaj thonë se shëndeti i tyre po përkeqësohet edhe më tej.

Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, ditë më parë ka deklaruar se ndotja është një çështje komplekse që nuk zgjidhet me një masë, por me disa masa.

"Me kompleksin e masave që po i marrim ngadalë, por me siguri, do të ndikojmë në ajër më të pastër dhe mjedis më të pastër", tha Mexhiti. sa/

FOTO: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR