• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shkupi ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë

Shkupi ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë

Shkup, 10 nëntor 2024 (MIA) - Sot në mëngjes Shkupi ishte në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë. Sipas listës së  IQAir ajri është i rrezikshëm për të marrë frymë, ndërsa indeksi i ndotjes është 153.

Në listën e IQAir , Shkupi renditet si qyteti i gjashtë më i ndotur në botë pas Lahores në Pakistan, Nju Delhit në Indi, Bagdadit në Irak, Teheranit në Iran dhe Tashkentit në Uzbekistan.

Ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti para disa ditësh tha se ndotja është çështje komplekse që nuk mund të zgjidhet me një masë, por me shumë. "Me kompleksin e masave të cilat i ndërmarrim ngadalë por sigurt do të ndikojmë të ketë ajër më të pastër dhe mjedis jetësor më të pastër", tha Mexhiti.

Si një shembull pozitiv vlerësoi projektin e fundit të Qeverisë për ndarjen e mjeteve të komunave për realizimin e projekteve kapitale, sepse, siç tha, 40 për qind e tyre janë për projekte ekologjike si dhe për infrastrukturë nëntokësore të cilat indirekt ndihmojnë për ajër më të pastër.

"Punojmë intensivisht për të ulur ndotjen, që është problem. Është e vërtetë se për një kohë të gjatë Shkupi dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë janë shumë të ndotura, veçanërisht zonat urbane, por është e vërtetë se vitet e fundit zvogëlohen ditët ku ajri është më i ndotur. Ka edhe masa të tjera nga Ministria dhe Qeveria. Këto ditë do të vihen në funksion mjetet nga BEI në vlerë prej 50 milionë euro për infrastrukturën nëntokësore në të gjitha komunat që nuk janë shfrytëzuar deri më tani", tha Mexhiti gjatë vizitës në deponinë e Drisllës në Shkup.

Sipas analizave në disa qytete, siç theksoi, faktori kryesor për ndotjen e mjedisit jetësor janë amvisëritë të cilat ngrohen me drunj djegës ose me lëndë djegëse të papërshtatshme. sa/ 

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR