• e shtunë, 23 nëntor 2024

Shkencëtarët e Maqedonisë së Veriut janë më aktivët nga vendet e Ballkanit Perëndimor në aktivitetet e programit COST

Shkencëtarët e Maqedonisë së Veriut janë më aktivët nga vendet e Ballkanit Perëndimor në aktivitetet e programit COST

Shkup, 15 nëntor 2023 (MIA) - Komiteti drejtues i COST (Bashkëpunimi evropian për shkencë dhe teknologji) - organizatë për rrjetëzimin shkencor dhe teknologjik në Evropë, sot në Shkup organizon takim vjetor në kuadër të të cilit do të ketë edhe punëtori për programin e ri të 10-të Kornizë të BE-së për kërkim dhe inovacion "Horizont Evropa". Takimin, në të cilin mori pjesë edhe drejtori i programit COST, Ronald De Bruin, e hapën zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Mariçiq e theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Maqedonisë së Veriut në COST dhe vuri në dukje se duhet të kërkojmë mundësi për të vendosur bashkëpunim solid ndërmjet shkencëtarëve dhe institucioneve.

"Si një vend që negocion për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, ne kemi mundësinë të marrim pjesë në programet kërkimore të BE-së dhe të ndjejmë përfitimet që para anëtarësimit. Kjo përfshin studiues nga RMV-ja në projekte të rëndësishme të inovacionit, kërkimit dhe shkencës. Hulumtimi shkencor dhe shkëmbimi i përvojave janë të një rëndësie më të madhe për shoqërinë tonë", theksoi Mariçiq.

Ai falënderoi komunitetin COST dhe përkushtimin e tij për avancimin e shkencës dhe theksoi përkushtimin e qeverisë për të ofruar mbështetje të shtuar kombëtare për pjesëmarrësit në COST dhe tha se "duke siguruar efikasitetin dhe suksesin e shkencëtarëve dhe inovatorëve, ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme evropiane për Maqedoninë e Veriut , ku shkenca dhe teknologjia luajnë një rol thelbësor në formimin e një bote më të mirë për të gjithë”.

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri kumtoi se në takimin e sotëm të Komitetit drejtues të COST do të ndahen rezultatet e veprimeve të deritanishme, ndërsa do të diskutohen edhe iniciativat që mund të jenë me interes për vendet anëtare të këtij programi dhe ata më tutje t'i zbatojnë bashkarisht.

"Mua më vjen mirë dhe për ne si vend është domethënëse që në periudhën e kaluar kemi treguar mjaft interes për të marrë pjesë në këtë program. Vetëm në dy muajt e fundit, nga gjithsej 70 aksione që janë propozuar dhe zbatuar në programin COST, vendi ynë ka përfaqësues të saj në 67 aksione, ose që është një pjesëmarrje prej 97 për qind në aksione. Kjo nënkupton se ne si vend kemi potencial kërkimor-shkencor, kemi staf cilësor, i cili me idetë dhe iniciativat e veta kontribuon në zhvillimn e shkencës dhe teknologjisë në botën globale", theksoi Shaqiri.

Në të ardhmen, siç tha ai, “do të përpiqemi këtë program dhe mundësitë për të marrë pjesë në të t'i afrojmë deri te sa më shumë shkencëtarë dhe studiues të rinj në vend përmes prezantimeve dhe seminareve nëpër universitete”.

Prof dr. Zoran Popovski, përfaqësues i vendit tonë në Bordin Drejtues të COST-it, theksoi se shkencëtarët tanë marrin pjesë në aksionet aktuale me rreth 80 për qind.

"Nga gjithsej 45.000 shkencëtarë që aktualisht janë të përfshirë në rrjetet COST, shkencëtarët e RMV-së marrin pjesë në rreth 250 rrjete të tilla, ku shkencëtarët tanë përdorin instrumente të ndryshme për mobilitet sepse ky program është i dedikuar ekskluzivisht për rrjetëzim", tha Popovski.

Nga takimi i sotëm, tha, pret që të ketë propozime se si të rritet ndikimi i COST-it në Zonën Evropiane të Kërkimit (European Research Area) dhe në veçanti si të motivohen sa më shumë shkencëtarë të rinj.

Mjetet për COST janë siguruar nga Komisioni Evropian dhe në nivel vjetor, siç tha ai, janë rreth 70 milionë euro.

COST (Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji) është një organizatë financuese për rrjetet e kërkimit dhe inovacionit me 41 anëtarë. Është programi më i vjetër dhe më i madh i rrjeteve shkencore në Evropë, i themeluar në vitin 1971 me seli në Bruksel. Përveç anëtarëve të BE-së, marrin pjesë edhe vende nga Evropa që nuk janë anëtare të Unionit. Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e COST që nga viti 2002. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR