• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shkalla e kancerit te të rinjtë në rritje prej 79 për qind gjatë 30 viteve të kaluara

Shkalla e kancerit te të rinjtë në rritje prej 79 për qind gjatë 30 viteve të kaluara

Edinburg, 6 shtator 2023 (MIA) - Rastet e kancerit te të rinjtë në mbarë botën janë rritur për 79 për qind, në mes vitit 1990 dhe 2019, paralajmërojnë hulumtimet e reja. Shkencëtarët e kanë studiuar rritjen e shkallëve për ata të moshës nën 50 vjet. 

Amerika e Veriut, Australia, Azia dhe Evropa Perëndimore janë zonat me shkallën më të lartë të kancerit në moshë të hershme. Sipas studiuesve, edhe pse gjenetika ndoshta kontribuon në rritje - duhani, pirja e alkoolit dhe ushqimi i pasur me mish dhe kripë, por me pak fruta dhe qumësht, janë faktorët kryesorë të rrezikut. U konstatua se mbipesha, aktiviteti i ulët fizik dhe sheqeri i lartë në gjak kishin rol në rritjen e numrit tek të rinjtë. Punimi shkencor është publikuar në revistën "BMJ Oncologji" (BMJ Oncology).

Kanceri i gjirit e përbën pjesën më të madhe të rasteve - 13,7 në çdo 100.000 njerëz. Rastet e kancerit të trakesë dhe të prostatës, rriten më shpejtë me 2,28 për qind dhe 2,23 për qind në vit.

Rastet e kancerit të mëlçisë janë në rënie, mesatarisht për 2,88 për qind. 

Udhëheqësja e hulumtimit, dr. Ksue Li nga Qendra e Shëndetit Global të Institutit "Asher" pranë Universitetit në Edinburg në Skoci, vlerëson se kanceri në moshën e re tregon "linjë të rritjes" gjatë 30 viteve të fundit, por se "shkalla e përgjithshme e incidencës është e qëndrueshme" nga viti 2010 deri në vitin 2019. 

Organizata bamirëse "Kancer Resirç UK" (Cancer Research UK)  ka konfirmuar se përparimet në kujdesin ndaj kancerit kanë ndihmuar në shpëtimin e të paktën 1,2 milion jetëve në MB që nga vitet 1980 e deri më sot. Dr Kler Najt beson se kanceri mbetet "kryesisht një sëmundje e të moshuarve", por se gjetjet e reja të hulumtimit të tij janë alarmante.

"Nevojiten më shumë kërkime për shkaqet e kancerit të hershëm për lloje të caktuara të kancerit, siç është hulumtimi ynë, i cili shqyrton mënyra të reja për të identifikuar një rrezik më të lartë të kancerit të gjirit tek gratë më të reja", shtoi Dr. Najt.

Ajo rekomandon ushqim të balancuar, mospirje të duhanit, shumë ushtrime dhe ekspozim të sigurt dhe të matur në Diell. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR