• e enjte, 20 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

SHGM dhe SPGM: Gazetarë të thirrur për bisedë informative pa ndalim të shpallur më parë për dronët – kërkojmë shpjegim nga MPB dhe AAC

SHGM dhe SPGM: Gazetarë të thirrur për bisedë informative pa ndalim të shpallur më parë për dronët – kërkojmë shpjegim nga MPB dhe AAC

Shkup, 19 mars 2025 (MIA) - Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGM) shprehin shqetësim për thirrjen në bisedë informative të gazetarëve, mes tyre edhe përfaqësues të mediave ndërkombëtare, pas protestës së mbrëmshme në Shkup.

"Sipas informacioneve të disponueshme, ndalimi për përdorimin e dronëve u shpall zyrtarisht pas orës 20:00, gati dy orë pasi protesta kishte filluar. Për më tepër, në njoftimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Aviacion Civil, një ndalim i tillë nuk ishte përmendur fare për qytetin e Shkupit. Kjo ngre pyetje serioze për bazën ligjore të veprimeve ndaj gazetarëve. Sipas Rregullores për mjete ajrore pa pilot (Neni 7, Paragrafi 1), zona të caktuara mund të kufizohen për arsye sigurie ose të tjera të rëndësishme, por këto vendime duhet të jenë të përcaktuara qartë dhe të jenë publikisht të disponueshme me kohë. Zbatimi i përgjithshëm i ndalesës pa njoftim paraprak dhe mbi të gjithë qytetin, si në këtë rast, nuk është në përputhje me këtë kornizë ligjore", bëhet e ditur në kumtesën e SPGM dhe SHGM.

Nga aty kërkojnë përgjigje nga MPB-ja dhe AAC-ja se në çfarë baze ligjore mbulohen qytete të tëra, në vend të zonave specifike që parashikojnë aktet nënligjore dhe pse mediat nuk janë informuar me kohë për kufizimet.

"Presim që institucionet të veprojnë në mënyrë transparente dhe në përputhje me ligjin, për të shmangur veprime që mund të interpretohen si kufizim i punës së gazetarëve dhe lirisë së medias, veçanërisht për ngjarje me interes të lartë publik. Gjithashtu, u bëjmë thirrje gazetarëve që përdorin dronë ta bëjnë këtë në mënyrë të përgjegjshme dhe me kujdes, pa shqetësuar familjet dhe të afërmit që po kalojnë një periudhë të vështirë, veçanërisht në ditët në vijim kur do të mbahen varrimet e të ndjerëve", thuhet në kumtesën e SPGM dhe SHGM. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR