SHBA-ja me sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut dhe Rusisë
- SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut dhe Rusisë, të drejtuara drejt aktiviteteve financiare të Phenianit dhe mbështetjes ushtarake që Koreja e Veriut i ofron Moskës.
- Post By Fami Bajrami
- 11:30, 17 dhjetor, 2024
Uashington, 17 dhjetor 2024 (MIA) - SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut dhe Rusisë, të drejtuara drejt aktiviteteve financiare të Phenianit dhe mbështetjes ushtarake që Koreja e Veriut i ofron Moskës.
Masat e reja u kumtuan mbrëmë nga Ministria e Financave të SHBA-së.
"Aktivitetet e vazhdueshme provokuese nga regjimi i Kim Xhong Un, duke përfshirë... testimin e fundit të raketës balistike ndërkontinentale dhe rritjen e mbështetjes ushtarake për Rusinë, e minojnë stabilitetin në rajon dhe mbështesin agresionin e vazhdueshëm të Putinit në Ukrainë", deklaroi Bredli T.
Smith, ushtrues detyre i zëvendës sekretarit për Financa për çështjet e terrorizmit dhe Inteligjencën Financiare. "SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të parandaluar blerjet dhe (financimin) e paligjshëm ... e cila mundëson këtë aktivitet destabilizues".
Sanksionet, që synojnë bankat koreanoveriore, përfaqsuesit e lartë ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë, si dhe kompanitë ruse kundër transportit të naftës, janë hapi i fundit i SHBA-së për të parandaluar mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Midis bankave koreanoveriore të cilat janë sanksionuar janë Golden Triangle Bank dhe Korea Mandal Credit Bank, theksohet në kumtesën e ministrisë.
Sanksionet përfshijnë dhe gjeneralët koreanoveriorë, të cilët, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, janë pjesë e mijëra personave ushtarakë të dërguar nga Pheniani në Rusi për të ndihmuar në luftën kundër Ukrainës.
Ndër kompanitë ruse të cilët janë të shënjestruara nga sanksionet janë dhe "Vostok Trejding", DV Ink" dhe Novosibirskoblgaz. Në deklaratën e Ministrisë së Financave theksohet se, duke filluar nga viti 2022 deri në prill të vitit 2024, këto kompani kanë furnizuar Korenë e Veriut me mijëra tonë naftë dhe gaz. rq/
Foto: arkivi i MIA-s