SHBA jep garancione të sigurisë për Ukrainën, por nuk ka marrëveshje për koncesione territoriale
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ofruan Kievit garancione të sigurisë pas shabllonit të NATO-s, sepse negociatorët amerikan dhe evropian publikuan progres në bisedimet për ndërprerje të luftës së Rusisë në Ukrainë, por marrëveshja për koncesionet territoriale ende është larg.
- Post By Sara Ademi
- 08:55, 16 dhjetor, 2025
Uashington, 16 dhjetor 2025 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ofruan Kievit garancione të sigurisë pas shabllonit të NATO-s, sepse negociatorët amerikan dhe evropian publikuan progres në bisedimet për ndërprerje të luftës së Rusisë në Ukrainë, por marrëveshja për koncesionet territoriale ende është larg.
Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Tramp e dhanë ofertën e sigurisë gjatë bisedumeve me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski në Berlin, deklaruan përfaqësuesit amerikan, por paralajmëruan se një marrëveshje e tillë nuk do të jetë në tryezë përgjithmonë.
Bisedat në kryeqendrën evropiane shkaktuan optimizëm tek liderët evropian për rrugën drejt ndërprerjes së konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, Moska ende nuk është pajtuar me asnjë nga ndryshimet e diskutuara në Gjermani dhe nuk ka treguar gatishmëri për ta bërë atë.
"Po përpiqemi ta arrijmë këtë", tha Tramp, duke folur në Shtëpinë e Bardhë rreth një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës. "Kemi pasur biseda të shumta me presidentin rus (Vladimir) Putin dhe mendoj se tani jemi më afër se kurrë më parë dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë", shtoi ai.
Liderët evropianë e mirëpritën me kujdes ndryshimin e administratës së Trampit në garancitë e sigurisë për Ukrainën.
"Për herë të parë që nga fillimi i luftës, mundësia e një armëpushimi është e imagjinueshme", tha kancelari gjerman Fridrih Merc, i cili priti takimet në Berlin, në një postim në "X".
"Sot, për herë të parë, pata ndjesinë ... se të gjithë po sillen si aleatë nga i njëjti kamp", u tha kryeministri polak Donald Tusk gazetarëve në aeroplanin e tij pasi u nis nga Berlini. "Për herë të parë, dëgjova nga negociatorët amerikanë ... se Amerika do të angazhohet në garanci sigurie për Ukrainën në një mënyrë të tillë që rusët të mos kenë dyshim se përgjigjja amerikane do të jetë ushtarake nëse rusët sulmojnë përsëri Ukrainën".
Kryeministri suedez Ulf Kristerson tha se çështja e garancive të sigurisë ishte bërë "më e qartë dhe më e besueshme", duke e quajtur atë një hap të rëndësishëm drejt një paqeje të qëndrueshme. "Por ka ende shumë pyetje të vështira, jo vetëm për territoret, por edhe nëse Rusia dëshiron paqe fare", tha Kristerson në një deklaratë pas bisedimeve në Berlin.
Zelenski tha se pas bisedimeve do ti kërkonte SHBA-së të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe t'i sigurojë Ukrainës më shumë armë, përfshirë armë me rreze të gjatë veprimi, nëse Moska refuzon propozimet që po diskutohen midis Kievit, Uashingtonit dhe liderëve evropianë.
"Mendoj se Amerika do të kryejë shtypje me sanksione dhe do të na japë më shumë armë nëse ai (Putini) refuzon gjithçka", u tha Zelenski gazetarëve. sa/
foto: MIA arkivi