• e premte, 27 dhjetor 2024

Shaqiri: QSHP le të vazhdojë me kërkesat, por matura shtetërore duhet të realizohet

Shaqiri: QSHP le të vazhdojë me kërkesat, por matura shtetërore duhet të realizohet

Shkup, 5 maj 2023 (MIA) - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot në konferencë shtypi u bëri apel të punësuarve në Qendrën Shtetërore të Provimeve, të cilët për një periudhë të caktuar bëjnë grevë, të mos e vënë në pikëpyetje maturën shtetërore që duhet ta japin nxënësit e shkollave të mesme.

"Matura shtetërore do të jepet dhe duhet të jepet. Institucionet, duke e përfshirë edhe QSHP, MASH dhe institucionet e tjera duhet ta japim maksimumin që të organizohet matura shtetërore. Unë gjithmonë edhe në situatat paraprake kur kemi pasur grevë, bëj apel që të mos shfrytëzohet e ardhmja e nxënësve të shkollave të mesme për shkak të përfitimit të tyre. Nga Ministria e Financave, MPPS dhe institucionet e tjera presim të nënshkruhet Marrëveshja e përgjithshme dhe ligji i ri për pagat. kërkoj mirëkuptim dhe të gjejnë mënyrë asnjëherë të mos sillet nën pikëpyetje realizimi i maturës shtetërore. Le të vazhdojnë me kërkesat, por matura shtetërore të realizohet", tha Shaqiri.

Ai potencoi se nga Ministria e Financave është dhënë propozim për harmonizimin e pagave.

"Propozimi që është dhënë nga Ministria e Financave është harmonizim, ndërsa ky harmonizim do të thotë rritje, por për momentin kur flasim për atë nëse dhe sa jemi të kënaqur, gjithmonë kërkoj të mos vihet nën pikëpyetje matura shtetërore. Siç sot dhe dje pas një periudhe të caktuar filluan të realizohen provimet për drejtor, ashtu të kemi mirëkuptim edhe për ata 29 të punësuar që ta realizojmë maturën shtetërore. Unë do të mbështes gjithçka në kuadër të mundësive të buxhetit të financave", tha Shaqiri.

Foto: Arkivi i MIA-s/ Ministria e Arsimit dhe Shkencës

QËNDRONI TË LIDHUR