• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shaqiri: Pres nga kryetari i komunës të ofrojë zgjidhje afatshkurte dhe afatgjate për rastin me shkollën në Jurumleri

Shaqiri: Pres nga kryetari i komunës të ofrojë zgjidhje afatshkurte dhe afatgjate për rastin me shkollën në Jurumleri

Shkup, 4 tetor 2023 (MIA) - Sa i përket protestës së sotme, nuk e di se për cilën arsye është krijuar, sepse në procesin e zgjidhjes së problemit unë kam qenë i hapur për diskutim me të gjithë prindërit, pa dallim se cilit nacionalitet i përkasin, u përgjigj ministri i Arsimit dhe Shkencës, jeton Shaqiri, në pyetjen e gazetarëve lidhur me protestën për shkollën në Jurumleri.

Pasi që ministri i Arsimit, jeton Shaqiri, dha ultimatum se do t'ia marrë ingerencat komunës Gazi Babë nëse nuk gjen zgjidhje se ku t'i vendosë 13 nxënësit shqiptarë nga SHFK "Njegosh" në Jurumleri, prindërit e nxënësve të cilët vijojnë mësim në gjuhën maqedonase qëndruan prapa kryetarit të komunës së Gazi Babës. Thonë se nëse ingerencat merren, mësimin do ta bojkotojnë jo vetëm në SHFK Njegosh, por në të gjitha shkollat në territorin e Komunës Gazi Babë.

Ata sot dolën në protestë masive para shkollës, sepse sipas tyrre nuk ka kapacitete hapësinore që të hapet paralele e re në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ministri Shaqiri theksoi se ka pasur takim edhe me prindërit e nxënësve, të cilët mësojnë në gjuhën maqedonase me të cilët e diskutuan situatën e tnaishme e cila, siç thotë, nuk është problem vetëm sot, por edhe në 20 vitet e fundit.

"Për zgjidhje të problemit kisha dy situata. E para është zgjidhja afatgjate e rastit, të cilën e mbështesin të gjith prindërit, të hapet shkollë e re në Idrizovë ku do të mësojnë të gjithë, por kjo nuk mund të realizohet në periudhë prej një, dy, tre muajve apo në periudhë prej një viti. Gjithashtu, diskutuam edhe për zgjidhjen afatshkurte, patëm diskutim se nuk kemi hapësira të mjaftueshme për momentin, pranova që shkolla së bashku me Komunën të parashtrojë projekt në Ministri, me qëllim që mësimi të realizohet në afat sa më të shkurtë", theksoi Shaqiri.

Për kërkesat e prindërve lidhur me hapjen e disa paraleleve shtesë të mësimit tërëditor në gjuhën maqedonase, ministri tha se i ka pranuar edhe ato diskutime.

"Do të parashtroj kërkesë në Ministrinë e Financave, nëse keni nevojë për një apo për dy, nga të dhënat që i kemi në tërë shtetin nuk ka numër të madh të mësimit tërëditor në paralele, por nëse kërkesa e tyre është për një paralele e pranoj si diskutim", shtoi ai.

Shaqiri theksoi se u ka dhënë hapësirë të gjithë së bashku t'i shqyrtojnë mundësitë për mësim në hapësira tët jera, sepse bëhet fjalë për 13 fëmijë të cilët për momentin nuk e vijojnë mësimin.

Ai theksoi se nuk dëshiron të vijë deri te keqkuptimi se po shkelet e drejta kushtetuese e fëmijëve të cilët mësojnë në gjuhën maqedonase.

"Kryetari i komunës ndodhet në udhëtim zyrtar. Pres të kthehet dhe të parashtrojë propozim për zgjidhje afatshkurte dhe afatgjate të rastit", theksoi Shaqiri. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR