• e enjte, 18 korrik 2024

Shaqiri për të diplomuarit e UEJL-it: Ju jeni gjeneratë ambicioze që do të sjellë përfitime të mëdha për vendin

Shaqiri për të diplomuarit e UEJL-it: Ju jeni gjeneratë ambicioze që do të sjellë përfitime të mëdha për vendin

Shkup, 17 qershor 2023 (MIA)- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka uruar diplomimin e studentëve nga gjenerata e 19-të e të diplomuarve të Universitetit të Evropës Juglindore në ceremoninë e cila u mbajt sot në Tetovë.

“Ju uroj shëndet dhe shumë suksese të reja në të ardhmen. E di që ju presin shumë arritje të reja në planin personal dhe profesional, sepse jeni gjeneratë ambicioze e cila do të sjellë përfitime të mëdha për vendin dhe për prosperitetin e përgjithshëm social dhe ekonomik”, ka thënë Shaqiri.

Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që të besojnë në veten e tyre.

“Ju keni atë që është e nevojshme për të krijuar një të nesërme sa më të mirë për të gjithë ne. Arsyetoni diplomën që keni marrë në njërin nga institucionet e arsimit të lartë më të njohur dhe bashkëkohor në vendin tonë, por edhe më gjerë i cili është i vetmi universitet në rajon që e trajton dhe e ruan standardin e tregjuhësisë në mësimdhënie dhe veprim“, ka thënë Shaqiri.

Ai këshilloi të diplomuarit që të mos heqin dorë nga të mësuarit, qoftë ai formal apo joformal, sepse siç tha, “çdo informatë apo aftësi e re që fitoni do t'ju bëjë më të vlefshëm”.

“Të gjithë së bashku duhet të shfrytëzojmë rastin për të falënderuar profesorët dhe të gjithë punonjësit e këtij universiteti për përkushtimin e vërtetë dhe përcjelljen e njohurive që tani janë arma juaj më e fortë. E di që kanë dhënë maksimumin gjatë shkollimit, sepse synimi i tyre në të vërtetë qëllimi i profesorit është që çdo gjeneratë e re të jetë së paku një nuancë më e mirë se gjenerata e mëparshme“, shtoi ministri.

Foto: MASH

 

QËNDRONI TË LIDHUR