• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Shaqiri: Në interes të gjeneratave të nxënësve të përgatitura mirë, do të vazhdojmë të ndërlidhim shkollat dhe kompanitë përmes konceptit të arsimit dual

Shaqiri: Në interes të gjeneratave të nxënësve të përgatitura mirë, do të vazhdojmë të ndërlidhim shkollat dhe kompanitë përmes konceptit të arsimit dual

Shkup, 9 maj 2023 (MIA) - Ndërlidhja e shkollave dhe komunitetit të biznesit është një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sepse ky relacion kontribuon për krijimin e gjeneratave cilësore të nxënësve, të përgatitur mirë për kyçje të suksesshme në tregun e punës menjëherë pas marrjes së diplomës, por edhe për vazhdimin e mëtejshëm në arsimin e lartë. Jam mirënjohës për mbështetjen që marrim nga partnerë të shumtë vendas dhe ndërkombëtarë në arritjen e qëllimit dhe pres që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe në të ardhmen, përmes avancimit dhe zgjerimit të përbashkët të konceptit të arsimit dual.

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në ndarjen e sotme të granteve për konsorciumet të përbëra nga kompanitë dhe institucionet arsimore për arsim profesional dhe trajnim, të cilët nga Fondi Rajonal për Sfida përfitojnë mjete për furnizimin e pajisjeve që do të shërbejnë për përgatitjen e nxënësve në pjesën praktike të mësimdhënies.

“Arsimi dual filloi nga viti shkollor 2017/2018 dhe u intensifikua gjatë tre viteve të fundit, me dialogun social “Mëso me menquri, puno me profesionalizëm”, përmes të cilit kompanitë, shkollat e mesme profesionale, odat ekonomike dhe pushteti vendor i shqyrtojnë nevojat për hapjen e re të drejtimeve arsimore dhe paraleleve në shkolla, nevoja e ridizajnimit të disa pjesëve të programeve mësimore dhe avancimit të trajnimit praktik të nxënësve”, tha Shaqiri.

Ai shtoi se si rezultat i intensifikimit të aktiviteteve në vitin shkollor 2021/2022, arsimi i dual është realizuar në 97 paralele në 46 shkolla të mesme profesionale dhe janë regjistruar 1.486 nxënës, të cilët bashkëpunuan me 210 kompani. Këtë vit shkollor, arsimi dual realizohet në 225 paralele në 61 shkolla të mesme profesionale, me 2.763 nxënës të regjistruar dhe në bashkëpunim me 450 kompani. Numrat për vitin e ardhshëm shkollor janë edhe më të larta. Në konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2023/2024, janë paraparë 259 paralele duale me gjithsej 6.475 vende në bashkëpunim me mbi 500 kompani.

“Për të rritur atraktivitetin në arsimin dual, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndryshuar edhe politikat e ndarjes së bursave, gjegjësisht për nxënësit  e regjistruar në arsim dual  ndan bursa në vlerë prej 3500 denarë në muaj për 9 muaj të vitit”, theksoi  Shaqiri, duke shtuar se si pjesë e reformës në arsimin e mesëm profesional, është paraparë edhe sjellja e Ligjit të ri për Arsim Profesional  dhe Trajnim, i cili duhet të mundësojë arsimin profesional që i përgjigjet tregut të punës.

Shaqiri shprehu mbështetjen e parezervë për të gjithë procesin e Fondit Rajonal të Sfidave, i cili është  instrument financiar i krijuar për të rritur punësueshmërinë e të rinjve. Është një iniciativë e ndërmarrë nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe e financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Partneri kryesor në zbatim është Forumi i Investimeve të Odave i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. bsh/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR