• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shaqiri kërkon autorët e librave të jenë më të kujdesshëm që të mos ketë gabime

Shaqiri kërkon autorët e librave të jenë më të kujdesshëm që të mos ketë gabime

Shkup, 13 dhjetor 2023 (MIA) - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri kërkon që autorët e librave të jenë më të kujdesshëm me qëllim që të mos ketë më gabime si në librin e Matematikës për klasën e gjashtë.

"Kam kërkuar të dorëzohen vërejtje zyrtare nga ana e profesorëve universitarë të cilët janë të përfshirë në përgatitjen e librit që të tregohet arsyeja se pse është bërë ai gabim. E dini se në të gjitha librat e matematikës, edhe ne kur kemi mësuar, ka pasur gabime, por besoj se edhe ai gabim teknik do të zgjidhet si duhet", deklaroi Shaqiri, i cili sot mori pjesë në mbylljen zyrtare të Projektit tuining "Mbështetje e mëtutjeshme për zbatimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve".

Ai sqaroi se bëhet fjalë për gabim teknik i bërë nga autorët, edhe krahas asaj që nga të dyja anët e detyrës janë dhënë disa zgjidhje. 

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me problemin me librat e huaj, i cili zgjat tashmë një kohë të gjatë, ministri u përgjigj se në periudhën e kaluar u hap diskutim në lidhje me mënyrën e paraqitjes së botuesve të huaj, si dhe për të drejtën e botimit të cilën e kanë, në shpalljen e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në të cilën pas ndryshimeve, gjegjësisht në shpalljen e dytë, qasje kishin të gjithë botuesit e huaj. 

"Kam kërkuar edhe nga Enti i Revizionit mendim ekspert për atë interpretim në Ligjin për librat dhe në ligjet tjera ku duhet të ketë interpretim për librat e huaja. Pres përgjigjen dhe për hapat e mëtejshëm dua të jem i kujdesshëm, nëse raporti thotë se duhet të përcaktohet, ju garantoj se pas gjashtë vitesh do të kemi një përcaktim të mirë të ligjit dhe pres që partitë politike këtu nuk do të bëjnë problem dhe se kjo do të zgjidhet sa më shpejt sipas rekomandimeve që i kemi", tha Shaqiri. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR