• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shaqiri: Drejt fundit është gjetja e zgjidhjes për nxënësit në Çashkë

Shaqiri: Drejt fundit është gjetja e zgjidhjes për nxënësit në Çashkë

Tetovë, 12 shkurt 2024 (MIA) - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot informoi se para fundit është gjetja e zgjidhjes për situatën në SHF "Todor Janev" në Komunën e Çashkës, ku dy muaj nuk ka mësim për shkak të bojkotit dhe bllokadave të disa prindërve. Problemet filluan kur u vendos që të ketë paralele me mësim në gjuhën shqipe. 

"Gjatë ditës së sotme dhe gjithashu edhe nesër pas seancës së qeverisë do të kemi njoftime konkrete se cila është zgjidhja për Komunën e Çashkës. Por një gjë që mund të them tani është se jemi në fund të gjetjes së zgjidhjeve për atë që ka më shumë se dy muaj që po ndodh në Çashkë. Dhe ne punojmë për të gjithë nxënësit, pa dallim nga kombësia e tyre sipas të drejtës kushtetuese për të pasur të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare. Sot dhe më së voni nesër do të ketë përgjigje konkrete lidhur me diskutimin mes Qeverisë, MASH-it, Këshillit të Prindërve dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale", deklaroi Shaqiri nga Sellca e Tetovës.

Shaqiri në pyetjen e gazetarëve për marrëdhëniet mes Komunës së Tetovës dhe MASH-it rreth kompetencave për gjimnazin tha se bëhet fjalë për procedurë në të cilën askush nuk duhet të sillet "kush ka të drejtë" ose "kush nuk ka të drejtë". 

"Kthimi i kompetencave nuk është për emërimin e drejtoreshës, por vetëm për pjesën financiare, që është një problem i madh sa i përket pagesës së faturave, transferimit të bllok dotacioneve, në atë shkollë nuk është kryer nga komuna. Aktualisht, në Komunën e Tetovës, në gjashtë shkolla fillore dhe disa të mesme, kemi procedura që drejtorët janë zgjidhur pa konkurse, pa respektuar bazën ligjore. Ky diskutim nuk ka të bëjë mes MASH-it dhe Komunës së Tetovës. Ky diskutim ka të bëjë nëse ligjet e arsimit fillor dhe të mesëm po respektohen derisa të merret një zgjidhje. Nuk dua që dikush të bëhet viktimë. Të respektohen ligjet në pjesën e emërimit të drejtorëve", theksoi Shaqiri.

Lidhur me mungesën e librave theksoi se me ndryshimin e ligjit, Byroja për Zhvillim të Arsimit do të japë mendim ekspert për librat dhe kështu do të shmanget situata që të mos ketë recenzues për librat shkollorë. 

Ministri Shaqiri edhe në lidhje me Ligjin për Arsimin e Mesëm pret që në afat prej dy deri tri javë ose siç janë afatet ligjore më shpejtë ai ligj të kalojë në Kuvendin e RMV-së. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR