• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shabani: Ka zgjidhje të përkohshme, nevojitet e përhershme për problemin me bllokut për intervenim kirurgjik

Shabani: Ka zgjidhje të përkohshme, nevojitet e përhershme për problemin me bllokut për intervenim kirurgjik

Shkup, 5 qershor 2024 (MIA) - Në Klinikën për urologji do të punojë një sallë me dy turne, prej sot edhe zyrtarisht kemi njoftim nga drejtori se do të fillojë me program elektiv, është gjetur një zgjidhje e përkohshme, sepse ka tre javë që ka problem teknik. Një zgjidhje e përkohshme me kompresorë të instaluar jashtë, por edhe kompresorë të lëvizshëm në sallë. Ende nuk ka një zgjidhje të përhershme për sallat e operacionit. Nuk dihet ende se si do të jetë i gjithë sistemi i gazsjellësit dhe stacioneve të kompresorëve. Ne nuk po operojmë me kapacitet të plotë. Është paralajmëruar se nga e hëna do të jemi gati për funksionimin e dy sallave me program elektiv.

Këtë pasdite e theksoi Bashkim Shabani, punonjës në Klinikën për urologji në Shkup, kirurg urolog, në deklaratë për mediat.

Ai sqaroi se sipas informacioneve të tyre, të gjitha klinikat kirurgjikale më parë kanë pasur rreth një qind operacione në ditë. Problemi me bllokun e kirurgjisë vazhdon prej rreth një muaj. Bëhet fjalë për dy mijë operacione, ndërsa për shkak të festave, tha ai, lista e pritjes do të zgjatet edhe për dy deri tre muaj.

"Sistemi shëndetësor në Maqedoni është i centralizuar. Ndërhyrjet më të mëdha kirurgjikale kryhen në Qendrën Klinike. Fatkeqësisht, kjo do të ndikojë shumë në gjendjen shëndetësore të pacientëve. Ka pacientë me kancer të prostatës, për shembull, aty ka një hapësirë për pritje. Megjithatë, ka tumore të fshikëzës dhe veshkave që realisht nuk mund të presin gjatë, sepse gjatë pritjes mund të shfaqen edhe metastaza", sqaroi mjeku.

Ai theksoi se zgjidhja e përhershme është zëvendësimi i stacionit të kompresorit me tubacionet, tërë sistemit të kompresorit. Stacioni ka qenë i vjetër 30 vjet dhe sipas asaj që dëgjuan edhe ekspertët gjermanë, të cilët kanë qenë në inspektim të tërë sistemit të gazsjellësit, stacionin e kompresorit, treguan se stacioni është i vjetër me tubacione dhe afati i stacioneve të tilla është aq.

Vonohet me ndërtimin e një qendre të re klinike, nënvizoi mjeku, i cili punoi në klinikë për rreth njëzet vite.

"Është goditje e rëndë që blloku operativ të mos funksionojë për një kohë kaq të gjatë, qendra klinike është shtylla e shëndetësisë", theksoi ai, duke shtuar se është dashur të mendohet shumë më herët nga faktorët kompetentë, për të mos ardhur deri këtu, çka po ndodh gjatë ditëve të kaluara. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR