Shënohet 30-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës
- – Me akademi solemne u shënua 30-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës. Në fjalimin e rastit rektori Jusuf Zejneli theksoi se po shënohet një vit jubilar i një institucioni arsimor i cili në të kaluarën është përballur me shumë sfida.
- Post By Fitore Curri
- 17:25, 17 dhjetor, 2024
Tetovë, 17 dhjetor 2024 (MIA) – Me akademi solemne u shënua 30-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës. Në fjalimin e rastit rektori Jusuf Zejneli theksoi se po shënohet një vit jubilar i një institucioni arsimor i cili në të kaluarën është përballur me shumë sfida.
“Me ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje të thellë, sot qëndroj para jush për të festuar këtë moment të jashtëzakonshëm në historinë e institucionit tonë: 30 vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës. Sot festojmë vitin jubilar të një institucioni arsimor, i cili u themelua me guximin, vullnetin dhe përkushtimin e popullit tonë, në një kohë kur ideja e një universiteti në gjuhën shqipe u përball me sfida dhe kundërshtime të mëdha. Universiteti ynë është simbol i përpjekjeve dhe besimit të një kombi në fuqinë e dijes”, tha rektori Jusuf Zejneli.
Ai foli edhe për sfidat të cilat e presin Universitetin tani dhe në të ardhmen.
“Derisa festojmë të kaluarën dhe të tashmen tonë, duhet të shohim përpara me guxim dhe ambicie. Sfidat e këtij shekulli, përparimi i shpejtë teknologjik, krizat ekologjike dhe pabarazitë sociale - kërkojnë që universitetet të jenë më shumë se qendra të mësimit dhe studimit. Universitetet duhet të jenë qendra të inovacionit, qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë sociale. Universitetet duhet të krijojnë sa më shumë lidhje me bashkësinë dhe të kenë parasysh kërkesat e reja që shfaqen në tregun e punës. Këto janë synime që po i realizojmë me përkushtim dhe strategji afatgjate”, theksoi Jusuf Zejneli.
Në akademi i ishte ndarë çmimi Doktor Nderi i Shkencave, ish politikanit dhe aktivistit Nevzat Halili. fc/
Fotografia: UT