• e martë, 24 shtator 2024

"Sfidat ukrainase" të kandidates për komisare evropiane për zgjerim Marta Kos

 Bruksel, 23 shtator 2024 (MIA) - Ish-ambasadorja sllovene në Gjermani dhe Zvicër, Marta Kos, është nominuar komisare e re evropiane për zgjerim, proces ky që përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainën dhe Moldavinë.

Kosi në përgjithësi është në linjën e politikës së BE-së për mbështetjen e Ukrainës në në kundërshtim të agresionit rus, por deklarata e saj e vitit 2022 në disa qarqe në Bruksel ngriti shqetësime se ajo mund të marrë një "ton pajtues ndaj Moskës".  

Bëhet fjalë për një deklaratë të  Kosit për "Zhurnal 24" nga marsi i vitit 2022 në të cilën ajo thekson se është e nevojshme të kritikohet Moska për shkak të invadimit ndaj Ukrainës, por se "nuk duhet të mbylëlen dyert ndaj Rusisë". 

 Ajo në deklaratë shton gjithashtu se "Sllovenia gjithmonë ka pasur marrëdhënie të mira me Rusinë", por se gjatë qeverisë së mëparshme të kryeministrit slloven Janez Jansha "kemi parë një largim nga Rusia drejt SHBA-së".

Zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Punëve të Jashtme, Heorhi Tihij,  refuzoi t'i komentojë deklaratat e Kosit, duke theksuar se Ukraina do të fokusohet në veprimet e zyrtarëve, në vend të asaj që e kanë thënë. 

"Gjithmonë shohim çfarë bëjnë njerëzit, e jo atë që flasin. Kuptohet, kur ka deklarata që janë kontradiktore të interesave tona ose paraqesin mungesë respekti ndaj Ukrainës, ne reagojmë, por qëllimi ynë primar është të shikojmë në veprat, e jo fjalët", shtoi Tihij. 

 Politologu slloven, Alem Maksuti, ndërkaq, për portalin "Politko" të Brukselit deklaroi  se nuk ka nevojë për dyshime për qëndrimet e Kosit për mbështetjen e Kievit, duke pasur parasysh se ajo konsiderohet "bashkëpunëtore e ngushtë" e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, partia e të cilit Lëvizja "Sloboda" (GS) "e mbështet luftën e Ukrainës kundër agresionit rus".

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajeni është mbështetëse e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë në BE, por në disa nga vendet anëtare të Bashkimit ekzistojnë rezerva rreth gatishmërisë së dy vendeve për anëtarësim, që në Kiev dhe Kishinjev  shkakton shqetësim se procesi i anëtarësimit të tyre mund të zgjasë me vite madje edhe dekada. 

 Sipas "Politiko"-s, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e përgjegjësive të saj të ardhshme si komisare evropianë për zgjerim, këto deklarata të Kosit "me siguri do të vihen nën llupë" gjatë seancës së saj të ardhshme në Parlamentin Evropian.

Krahas këtyre deklaratave, problem shtesë për Kosin mund të jenë edhe akuzat për lidhjen e saj me shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë para më shumë se tre dekadave. Edhe pse ajo i mohoi akuzat se ishte bashkëpunëtore e shërbimeve sekrete, megjithatë ajo hodhi njollë në të kaluarën e saj profesionale. 

Në lidhje me karrierën e saj diplomatike, po vazhdojnë edhe akuzat për "menaxhimi jopërkatës" si ambasadore nga ana e të punësuarve në Ambasadën Sllovene në Zvicër, për shkak të së cilës ajo u tërhoq nga funksioni i ambasadores në vitin 2020. 

 Në vitin 2022, Kosi u paralajmërua si kandidate e GS-së për presidente e Sllovenisë, por ajo e tërhoqi kandidaturën para zgjedhjeve për shkak të mosmarrëveshjeve me Golobin. Mediat sllovene,  pohojnë se në fillim të këtij viti, Kosit i është ofruar të jetë bartëse e listës së AP-së në zgjedhjet e qershorit për anëtarë të Parlamentit Evropian, si dhe një vend në Komisionin e ri Evropian, por se ajo atëherë i refuzoi ofertat e tilla.

Sllovenia fillimisht për komisar evropian e nominoi ish-kryetarin e Gjykatës Sllovene të Revizorëve, Tomazh Vesel, po ai e tërhoqi kandidaturën pas informacioneve se Fon der Lajeni ka kërkuar nga disa vende anëtare të zëvendësonin kandidatët e tyre të propozuar burra me gra, me qëllim që të arrihet sa më shumë që është e mundur barazi gjinore në organin e ri ekzekutiv të BE-së. Pas kësaj, Lubjana e nominoi Kosin si kandidate për anëtare të KE-së. Paraprakisht edhe Rumania e zëvendësoi kandidatin e saj për komisar evropian me një kandidate. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR