• e hënë, 31 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Sesioni i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut: Liria e medias është çelësi i demokracisë, është proces që duhet të përsoset

Sesioni i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut: Liria e medias është çelësi i demokracisë, është proces që duhet të përsoset

Shkup, 28 shkurt 2025 (MIA) - Mediat dhe organizatat e shoqërisë civile luajnë rol të madh në proceset demokratike dhe në promovimin e vlerave demokratike. Nevojitet kornizë politike, e cila do të mbrojë gazetarët në bazë të ligjit evropian. Kjo mund të jetë garanci për ekzistencën e lirisë së fjalës. Liria e fjalës dhe liria e medias është sfidë me të cilën përballen edhe shtetet anëtare të BE-së, e të gjithë ne duhet të përqendrohemi në punën në këtë fushë, porositën sot folësit sot gjatë sesionit të dytë të punës. Komitetin e përbashkët të 23-të parlamentar BE-Maqedoni e Veriut, që u mbajt në Kuvend. 

Deputeti Gordan Bosanac vuri në fjalimin e tij në seancën e sotme përkujtoi se nuk mund të ekzistojë demokraci pa media të lira dhe pa shoqëri civile.

"Një element i rëndësishëm i demokracisë nuk janë vetëm partitë dhe korniza institucionale. Nuk ka demokraci pa media të lira dhe shoqëri civile. Nëse një vend ka probleme me lirinë e medias dhe shoqërinë civile, atëherë ai nuk duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Problemi është se edhe në BE sot ka sfida në këtë fushë. Disa nga vendet tona anëtare përballen me sfida të tilla, por ne duhet ta dimë gjithmonë se duhet të përqendrohemi në këtë fushë", tha Bosanac

Ai është i mendimit se liria e shprehjes është gjëja më e rëndësishme për mediat. Sipas tij, liria e fjalës shkelet shumë shpesh në regjimet autoritare. 

 

"Gjuha e urrejtjes nganjëherë konsiderohet si liri e fjalës, por nuk është kështu. Nuk mund të ketë kritikë nëse nuk ka liri të shprehjes. Maqedonia e Veriut mund të jetë krenare për gazetarët e saj hulumtues, të cilët me të vërtetë punojnë shumë. Ne i shohim ata si heronjtë e Maqedonisë së Veriut", shtoi Bosanac.

Siç theksoi ai, raportet tregojnë se mediat në Maqedoninë e Veriut janë të lira, por shpesh problemi është me mediat private. Ekziston një problem i ngjashëm në Bashkimin Evropian.

"Duhet të ketë media të financuara në mënyrë të pavarur, sepse ndonjëherë interesi privat në media mbizotëron mbi interesin publik. Sa i përket shoqërisë civile, unë kam bashkëpunuar me shumë civile në Maqedoninë e Veriut dhe mund të them se skena civile është e gjallë. Megjithatë, unë jam i shqetësuar për trendin e përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut që vjen nga SHBA-ja, e ky është ndalimi i USAID-it", nënvizoi Bosanac.

Deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholi lidhur me këtë temë theksoi se edhe mediat edhe organizatat e shoqërisë civile kanë rol të madh në proceset demokratike dhe promovimin e vlerave demokratike.

Ajo përkujtoi se liria e medias është proces që duhet të përmirësohet vazhdimisht, ndërsa gazetarët duhet të kenë të gjitha liritë dhe të drejtat për të bërë punën e tyre me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri. Pasholi është i mendimit se bashkëpunimi me gazetarët është shumë i rëndësishëm, për hir të avancimit demokratik.

"Ligji për mediat audiovizuale u miratua në qershor të vitit 2023, e në shkurt të vitit 2024 u prezantuan ndryshime në ligjin e njëjtë, të cilat prezantuan qasje transparente, demokratike dhe jodiskriminuese për zbatimin e fushatave shtetërore të natyrës arsimore dhe informative. Në mars të vitit 2024, u miratuan ndryshimet në Ligjin për mediat, duke lejuar mbështetje financiare për shtypjen dhe shpërndarjen e mediave të shtypura. Ka ende sfida në lidhje me mediat në vendin tonë, të cilat nuk i lejojnë ato të punojnë plotësisht lirshëm, për shkak të ndikimit politik, kufizimeve financiare dhe besimit të publikut", shtoi Pasholi.

Deputeti Konstantinos Arvanis tha në fjalën e tij se duhet të sigurohet funksionimi normal i mediave publike. Ai është i mendimit se nevojitet një kornizë politike, e cila do të mbrojë gazetarët në bazë të ligjit evropian, dhe vetëm kjo mund të jetë garanci e lirisë së fjalës. 

 

"Duhet të sigurojmë funksionimin normal të mediave publike, të cilat janë transparente dhe financohen nga mjetet publike. Po ashtu, duhet të kemi edhe shoqata të pavarura të gazetarëve. Ne e dimë se ka media që janë nën njëfarë ndikimi, se disa gjëra nuk transmetohen në media. Qytetarët duan që zëri i tyre të dëgjohet. Problemi në Parlamentin Evropian janë agjentët e huaj. Ne në Parlament kemi komitet të mburojës digjitale, por ka disa faktorë ekonomikë që mund ta përmbysin atë plotësisht, në varësi të interesave që ata përfaqësojnë", tha Arvanisi. Ai shtoi se njerëzit po kthehen kundër elitave politike për shkak të mediave, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse është me të vërtetë e nevojshme të kemi media të pavarura.

Arvanisi tha se Maqedonia e Veriut duhet të jetë anëtare e plotë e BE-së pa kushte shtesë dhe se duhet të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Vlladimir Preboliq në fjalën e tij, duke u mbështetur në histori dhe politikë, nënvizoi se nuk janë historianët ata që ndajnë kombet, por politikanët që abuzojnë me historinë për këtë çështje.

 

"Historia dhe historianët nuk i ndajnë kombet. Politikanët abuzojnë me historinë për atë punë. Nëse elitat politike nuk kanë përgjigje për të ardhmen, sepse politika ka të bëjë me të folurit për të ardhmen dhe jo për historinë, atëherë ato janë elita politike boshe. Një rast i ngjashëm është edhe në Slloveni. Nuk duhet të përdoren arsyet historike me tëcilat do të rëndohen gjeneratat e reja. Kjo është arsyeja pse shumë nga të rinjtë sot konsiderojnë se do të largoheshin. Ne si politikanë nuk duhet t'i përdorim ndarjet nga historia për qëllimet tona politike. Duhet të marrim vendime për sot dhe për të ardhmen. Përndryshe, ne jo vetëm që humbasim kontaktin me të rinjtë, por humbasim edhe diskursin për të ardhmen tonë. Le t'ua lëmë historinë historianëve dhe të mos abuzojmë me të", tha Preboliqi.

Lidhur me temën e natyrës dhe ekologjisë, eurodeputeti dhe raportuesi për vendin Tomas Vajc nënvizoi në fjalën e tij se nevojitet më shumë komunikim midis Parkut kombëtar të Malit Sharr dhe organizatave joqeveritare 

"Ju keni një trashëgimi natyrore të pabesueshme dhe të pazëvendësueshme. Ju përgëzoj për Parkun kombëtar të Malit Sharr. Megjithatë, nuk ka komunikim të mjaftueshëm midis organizatave joqeveritare dhe drejtorit të Parkut kombëtar. Organizatat joqeveritare janë aleate në përpilimin e ofertave turistike zmit dhe zhvillimit rajonal. Pranojini ato si aleate, bisedoni dhe shikoni se ku keni tema të përbashkëta. Organizatat joqeveritare bëjnë punë të çmuar për popullsinë, ato janë partnerë të rëndësishëm dhe duhet të bashkëpunohet me to", tha Vajci.

Ai është i mendimit se shteti ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe industrial.

"Është e rëndësishme që qytetarët të kenë ajër të pastër, ujë të pastër dhe jetë që do t'i lejojë fëmijët të qëndrojnë këtu dhe të ndërtojnë vendin, jo të largohen sepse ndjejnë se nuk janë të respektuar. Është për të ardhur keq të shohësh se sa i pistë është vendi juaj. Kam qenë në Galiçicë, Pelister, Prespë, Ohër dhe Kratovë, Mavrovë... Trashëgimia natyrore që keni është e jashtëzakonshme dhe është krenaria juaj më e madhe, kështu që duhet të gjeni zgjidhje. Keni lumenj të bukur, por të ndotur. Ju keni tokë pjellore dhe lumenj të bukur dhe ky është thesari juaj, por ju duhet të dini t'i ruani këto thesare natyrore, sepse ato janë të rëndësishme për të ardhmen tonë", tha Vajci

 

Siç shtoi ai, vendet tona fqinje tregojnë përparim më të mirë në menaxhimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza.

"Krahasuar me ujin e Brukselit, uji në Shkup nuk është aq i keq. Por unë vij nga një vend ku uji që pimë nga çezma është me të vërtetë me cilësi të mirë dhe ky mund të jetë rast edhe në Maqedoninë e Veriut, përmes programit IPA 3. Mendoj se duhet të punojmë së bashku në këtë fushë", shtoi Valci.

Më herët, anëtarët e Komitetit të Përbashkët Parlamentar të BE-së realizuan takim me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Komiteti i Përbashkët Parlamentar i Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian është formuar në bazë të Rezolutës së Parlamentit Evropian të 10 marsit të vitit 2004 dhe paraqet mundësi të rëndësishme për të thelluar dialogun dhe për të forcuar angazhimin e përbashkët për të ardhmen evropiane të vendit.

 Foto: Printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR