• e shtunë, 23 nëntor 2024

Sela pohon se i ka marrë vulat nga ASH, Taravari paralajmëron ankesë nëse është marrë një vendim i tillë

Sela pohon se i ka marrë vulat nga ASH, Taravari  paralajmëron ankesë nëse është marrë një vendim i tillë

 Shkup, 2 prill 2024 (MIA)  - Vulat nga Aleanca për Shqiptarët i ka marrë krahu i Ziadin Selës. Një vendim të tillë e ka marrë Gjykata në Tetovë.  Nga krahu i Selës e konfirmojnë informacionin, ndërsa kryetari i ASH-së  Arben Taravari paralajmëron ankesë.

 "Gjykata vendosi që kërkesa jonë për regjistrimin e Ziadin Selës për kryetar të Aleancës për Shqiptarët është pranuar. Për këtë vendim janë njoftuar të gjitha palët dhe tani zyrtarisht kryetar i ASH-së është Ziadin Sela", deklaruan për MIA-n nga krahu i Selës.

 Lideri  i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar përmes "Fejsbukut" pas njoftimit se vulat e partisë me vendim të gjykatës në Tetovë i ka marrë  Sela. 

"Thonë se sot kanë marrë vulat e Aleancës për t'ia dhënë BDI-së...edhe sikur të jetë e vërtetë ne do të ankimohemi por edhe sikur t'i marrin me sistemin e kapur që e kanë në dorë, kam një pyetje...po Popullin?!  Jo besa, popullin nuk e fiton dot me asnjë gjykatë! 
Ndryshimi ka nis dhe nuk ka vulë që e ndalon", thotë Taravari në postimin në Fejsbuk.

 MIA ka tentuar të kontaktojë me Gjykatën Themelore të Tetovës nga ku na u theksua që të dërgojmë email zyrtar gjatë ditës së nesërme.

Aleanca për Shqiptarët u nda në dy krahë pasi Taravari i bëri thirrje anëtarësisë që t'i mbështesin në vendimin   për t'iu bashkuar opozitës shqiptare. Sela dhe Taravari kanë paralajmëruar se do të bëjnë betejë ligjore për vulat e partisë. Krahu i Taravarit vendosi të shkojë me opozitën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa  Sela me BDI-në. 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR