• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sela për MIA-n: Ose i pranon ndryshimet kushtetuese ose duhet të thuash se nuk je për anëtarësim në BЕ

Sela për MIA-n: Ose i pranon ndryshimet kushtetuese ose duhet të thuash se nuk je për anëtarësim në BЕ

Shkup, 27 prill 2024 (MIA) – Ose i pranon ndryshimet kushtetuese ose duhet të thuash se nuk je për anëtarësim në Bashkimin Evropian, këto janë dy drejtimet, shprehet lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, në intervistë për MIA-n.

Në intervistën e regjistruar në prag të zgjedhjeve parlamentare, Sela mbetet në qëndrimin se fillimisht duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese, e më pas të formohet Qeveria. Debati rreth ndryshimeve kushtetuese, siç bën të ditur, ka mbaruar dhe duhet vetëm të votohet.

"Pasi të bëhet shumica e re, duhet të ulemi dhe të votojmë ndryshimet kushtetuese. Nga pikëpamja formale-juridike, ne nuk kemi asnjë problem meqë fakti që do të ndodhin zgjedhje nuk do të thotë se do të kemi shtet të ri. Është i njëjti shtet dhe vazhdojnë seancat e përbërjes së kaluar të Kuvendit vazhdojnë dhe ne mund të votojmë për ndryshimet kushtetuese. Ky do të ishte kushti për krijimin e Qeverisë së re", shprehet Sela.

Integrimi evropian mbetet prioritet për Aleancën për Shqiptarët, ndërsa sipas Selës, agresioni rus në Ukrainë ka sjellë rrethana lehtësuese në lidhje me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe si shtet duhet ta shfrytëzojmë këtë moment.

"Ky është kusht. Duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët, duhet t'ua thonë të gjithë aktorëve politikë që shkojnë para tyre dhe thonë se nëse marrim votat dhe shumicën do të ndryshojmë marrëveshjen, etj. Ky është kusht – ose e pranoni ose duhet të thoni se nuk jeni për anëtarësim në BE. Janë dy rrugë. Të gjithë aktorët politikë që dalin para qytetarëve me program për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të jenë të gatshëm në ditën e parë kur do të thirret Kuvendi i ri për të votuar ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë. Mendoj se agresioni rus në Ukrainë ka sjellë rrethana lehtësuese rreth anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment sepse do të jetë shumë më e lehtë për ne që të jemi anëtare e barabartë e BE-së", thekson Sela.

Si parti, pret që të fitojnë së paku pesë vende në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa ky numër, thotë ajo, do të ishte më i lartë në varësi të asaj se sa vende të deputetëve do të fitojë koalicioni i Frontit evropian.

Lidhur me thirrjen e liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për unitet kombëtar, Sela shprehet se Mickoski duhet të sqarojë se çfarë lloj uniteti do të thotë, e nëse bëhet fjalë për thirrje për bashkim kombëtar të maqedonasve, atëherë gabon sepse kjo do të çojë në ndarje kombëtare. Mickoski duhet të japë sqarim nëse kjo është me urdhër nga disa forca që duan paqëndrueshmëri në shtet", shprehet Sela.

"E di çfarë, një kryetar partie ka të drejtë të bëjë thirrje për bashkim rreth një programi dhe një platforme. Çfarë nënkuptohet me kombëtare është temë tjetër, thirrë vetëm një kombësi ose duke thirrë të gjitha bashkësitë etnike siç qëndron tani në Kushtetutë. Pra, duhet të sqarojë. Nëse ai bën thirrje për bashkim kombëtar vetëm të maqedonasve, mendoj se e ka gabim sepse ky bashkim kombëtar do të çojë në një ndarje kombëtare që nuk është e shëndetshme për asnjë bashkësi etnike, e as për shtetin, as për rajonin. Për fat të keq, ai duhet të jap sqarim nëse kjo është me urdhër të dikujt, nëse forcat që duan paqëndrueshmëri në Maqedoni japin urdhra të tilla në mënyrë që të ketë një diskurs të tillë politik në skenën politike për këto zgjedhje. Është e dëmshme për çdo qytetar dhe si politikanë së pari duhet të mendojmë si njerëz, si prindër, dhe duhet të sillemi me përgjegjësi edhe në politikë", thekson Sela.

Simulimin e seancës konstituive të Kuvendit që e bënë si koalicion Fronti evropian, Sela e sqaron si fillim të fushatës për zgjedhjet parlamentare. Lidhur me postin e kryetarit që i është dhënë në atë seancë konstituive, Sela shprehet se është ndjerë përgjegjës dhe se kjo përgjegjësi nuk ndryshon nga asnjë përgjegjësi tjetër kur qytetarët të japin besimin.

"Ishte dita e parë e fushatës parlamentare, 18 prilli, dhe kjo u vendos nga Shtabi Qendror i koalicionit Fronti evropian për fillimin e fushatës. Ndërkohë, ishim në mes të fushatës zgjedhore presidenciale. Asgjë e veçantë, nuk e di pse duhet të ketë ndonjë gjë tjetër përveç publikimit të fushatës – si do të dukej kjo, si do të dukeshin qëllimet tona politike. Gjërat më të rëndësishme që ndodhën në atë simulim në atë seancë konstituive ishin ndryshimet kushtetuese dhe zhbllokimi i rrugës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian. Dhe ky është qëllimi kryesor i koalicionit tonë për këto zgjedhje, shtylla kryesore e programit tonë", sqaron Sela.

Lidhur me përçarjen në Aleancën për Shqiptarët, ai thotë se Taravari iku nga partia dhe se veproi me urdhër të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Si e dinte Mickoski tre javë më parë se kjo do të ndodhte, pyet Sela.

"Arben Taravari iku nga partia, jo se ishte çështje e mosmarrëveshjeve. Deri në atë moment, ishim dakord për gjithçka. Kur hapëm temën e koalicionit me z. Taravari, ne u angazhuam që në zgjedhje të shkojmë vetë dhe përnjëherë ai duket se mori urdhër nga diku, e ai si duket është z. Mickoski i cili tre javë më parë kishte deklaruar se nëse Aleanca për Shqiptarët nuk do të bashkohej me të ashtuquajturën opozitë shqiptare, ASH-ja do të ndahej në dy krahë. Nga e dinte z. Mickoski për këtë tre javë para se të ndodhte? Pra, sipas të gjitha gjasave, duke ndjekur hapat dhe ngjarjet që ndodhën, Taravari është nën urdhërat e drejtpërdrejta të z. Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së. Pse, këtë ai duhet ta sqarojë. Pra, ai iku nga partia", shprehet Sela.

Lidhur me koalicionin me BDI-në, shprehet se pas ngjarjeve në parti, ata kishin në dispozicion dy opsione – ose të shkonin në zgjedhje ose të bëjnë koalicion. Mundësia e moskandidimit në zgjedhje, sipas Selës, nuk ishte parasysh sepse, shprehet ai, do të ishte në favor të të gjithë individëve dhe partive politike që duan që Aleanca për Shqiptarët të zhduket nga skena politike, ndërsa ai nuk do ta lejojë këtë. Vendimi për koalicion me Frontin evropian, siç thekson ai, është marrë në Kuvendin Qendror.

"Në politikë gjithmonë them se vendimet i merr me vegla politike që i ke për momentin. Nuk mund të marr vendim me vegla politike që kam pasur një vit më parë, sepse më nuk i kam. Në momentin kur duhej të vendosnim si ASH, kishim vetëm dy mundësi – të mos merrnim pjesë në zgjedhje sepse nuk kishim mundësi, nuk kishim vulën ose t'i bashkohemi njërit nga koalicionet. Dhe ky ishte vendimi i marrë nga Kuvendi qendror i partisë për t'iu bashkuar koalicionit “Fronti evropian", thekson Sela.

Me disa nga partitë nga blloku opozitar shqiptar, ai thotë se në të kaluarën kanë pasur bashkëpunim, por se ka pasur një marrëdhënie kokorrekte nga ana e Alternativës dhe Besës dhe se tani nuk ka asnjë logjikë për të bërë koalicion me ta. Qëllimi i tyre nuk ka qenë asnjëherë për të mposhtur BDI-në, por të shkatërronin Aleancën për Shqiptarët", konsideron Sela.

"Nuk vinte në shprehje bashkimi ndaj ndonjë koalicioni me këta opozitarë, them sipas në thonjëza, opozitarë, sepse nuk mund të thuhet se opozitar është Izet Mexhiti, i cili për 20 vjet ishte nënkryetar i BDI-së dhe funksioner dhe tre mandate kryetar i Komunës së Çairit. Nëse ndryshimi që ai e paralajmëron është pamja që e ka Çairi, , më falni, por ai nuk mund të kontribuojë drejt asnjë ndryshimi. Me aktorët tjerë politikë që janë brenda atij koalicioni, ne kemi pasur gjithmonë bashkëpunim në të kaluarën. Afrim Gashi në vitin 2020 ishte në koalicion me ne dhe e patë se çfarë ndodhi - me një fjalë të dhënë dhe një marrëveshje me shkrim se koalicioni do të ishte i vlefshëm deri në zgjedhjet e ardhshme, dhe kjo është tani, ai nuk u respektua dy herë nga Alternativa, një herë kur ai u arratis nga ASH-ja dhe u bë pjesë e Qeverisë dhe herën e dytë Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e Qeverisë, ata dolën. Tani të kërkosh të jesh në koalicion me ta përsëri nuk ka logjikë. Me lëvizjen Besa kemi pasur sjellje jokorrekte nga ana e tyre në zgjedhjet lokale. E di se çfarë ndodhi? Kishim marrëveshje dhe koalicion për raundin e dytë në vitet 2017 dhe 2021. Dhe ne ndihmuam aty ku ata kishin kandidat në raundin e dytë. Për shembull, në vitin 2021 ata kishin kandidat në Tetovë dhe Zhelinë, e ne në shtatë komuna. Ata i fituan të dyja komunat sepse ne dhamë fjalën tonë dhe anëtarët tanë morën pjesë dhe votuan në mënyrë aktive, e nga ana tjetër anëtarët e tyre me urdhër të lëvizjes Besa në të gjitha komunat ku hymë në raundin e dytë punuan kundër nesh. Qëllimi i tyre nuk ka qenë asnjëherë për të mposhtur BDI-në, por të shkatërronin Aleancën për Shqiptarët", konsideron Sela.

Sipas kreut të Aleancës për Shqiptarët, është e mundur të zbatohet vetingu në vend, sepse si shtet miratojmë ligje të mira, por duhet pasur kujdes se si zbatohen ato. Ai beson se një ligj i tillë duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Për zbatimin e vetingut, përveç vullnetit politik, shprehet ai, nevojitet edhe vullneti qytetar. Si shoqëri, ne flasim dhe jemi të zëshëm gjatë gjithë kohës se jemi kundër korrupsionit dhe krimit dhe duam një gjyqësor jopartiak, por gjithashtu duhet të pyesim veten se sa kontribuojmë që të mos kemi politikanë të tillë. Qytetarët bëjnë njëfarë drejtësie në ditën që votojnë", thekson Sela.

"Me çfarë meriton VMRO-DPMNE-ja të marrë mbështetje, e me çfarë meriton të ndëshkohet dikush që ka punuar sot Maqedonia të jetë vend më i sigurt, për të qenë anëtar i NATO-s dhe që kontribuon dhe është i gatshëm të votojë për ndryshimet kushtetuese në mënyrë që të jemi fqinjë më të mirë dhe të kemi më shumë miq në lagje dhe brenda katër deri në pesë vjet të jemi anëtar i barabartë i Bashkimit Evropian. Nëse shohim VMRO-DPMNE-në, gjithçka që ata bëjnë rehabiliton të gjithë ata që kanë qenë në burg ose kanë paditur për korrupsion dhe krim. Prandaj, gjyqin e parë qytetari duhet ta reflektojë me votën e vet. Një pyetje tjetër është se çfarë kemi bërë si shoqëri kur ministri i Drejtësisë Krenar Lloga duke filluar të punojë për të pasur gjyqësor më të mirë vlerësonte politikisht që ai të fillojë nga Këshilli i gjykatësve. Në këtë Këshilli duhet të kërkojë përgjegjësi për të gjithë gjykatësit. Kush doli për t'i dhënë mbështetje për këtë?, shprehet Sela.

 

Në pjesën e ekonomisë, Fronti evropian paralajmëron pagë mesatare prej 900 deri në 1.000 euro deri në vitin 2028, përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër, autostradës Shkup-Bllacë, rrugën Tetovë-Prizren dhe lidhjen hekurudhore me Shqipërinë. Ata paralajmërojnë gjithashtu Marrëveshje ekonomike kornizë, krijimin e një Agjencie të Financave Publike dhe debat mbi taksën progresive.

"Nëse duhet të ketë tatim progresiv – ka një debat në program sepse duhet të flasim me ekspertë dhe biznesin. Ne kemi pasur një ofertë të tillë në të kaluarën nga z. Zaev, unë e di se ai ishte shumë i zëshëm në lidhje me këtë temë, por pastaj doli se analizat financiare nuk e lejojnë një gjë të tillë dhe mbeti ajo që është. Taksa e sheshtë është specifikimi i partive të krahut të djathtë. Prandaj qëndron debat meqë në frontin evropian ka më shumë parti politike dhe ne si ASH, duke marrë parasysh se jemi të djathtë, jemi në favor të një tatimi të sheshtë, jo progresiv, por nga ana tjetër duhet të shihen edhe specifikat", shprehet Sela.

Një nga premtimet është integrimi i Qendrës klinike universitare në Shkup dhe transformimi në një kompleks të ri shëndetësor, që sipas Selës, mund të realizohet. Ai konsideron se nevojiten investime edhe në spitalet rajonale si në Strugë, Ohër, Tetovë, Kërçovë, Manastir, Kumanovë, Shtip...

Biljana Anastasova-Kostiq

Video dhe montimi:Andrej Brankoviq dhe Vlladimir Rabasoviq

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR