• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Sela kundër Taravarit, kërkon që ASH-ja të shkojë e vetme në zgjedhje

Sela kundër Taravarit, kërkon që ASH-ja të shkojë e vetme në zgjedhje

Tetovë, 4 shkurt 2024 (MIA) - Ish lideri dhe kryetar aktual i Kuvendit qendror të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sonte në konferencë për media në Tetovë deklaroi se është kundër vendimit të kryetarit të partisë Arben Taravari që ASH t'i bashkëngjitet Frontit të opozitës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme.

Sela konsideron se partia duhet të shkojë vetë në zgjedhje, ndërsa vendimin përfundimtar duhet ta marrin organet e partisë.

Ai ka paralajmëruar se do të thirr mbledhje të Kuvendit qendror të shtunën ku do të kërkohet përgjegjësi nga kryetari i partisë, Arben Taravari.

“Komunikimi i fundit i imi ka qenë dje me mesazhe, i kam thënë që të thirr mbledhje të kryesisë së partisë, që të marrim vendim që të shtunën të shkojmë në Kuvend të partisë. Sot një javë, të shtunën do të thirret, do e thërras publikisht Kuvendin e ASH-së dhe pika e rendit të ditës do të jetë përgjegjësia e kryetarit të partisë. ASH-ja ka qenë barriera kryesore për të ndal elementet fondamentale. E ky është momenti më kritik të cilin ASH-ja do ta parandaloj përsëri”, tha Sela.

Pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dje publikisht kërkoi që organet partiake të sjellin vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme bashkë me opozitën shqiptare u tha se për 24 orë janë mbledhur nënshkrime për mbështetje nga 80 nga gjithsej 133 anëtarë sa numëron Kuvendi i partisë.

"Nisma e kryetarit Taravari merr mbështetjen e shumicës së kuvendarëve të ASH-së. Për 24 orë janë mbledhur 80 nënshkrime të kuvendarëve në mënyrë vullnetare nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi, ndërsa procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po vijon. Shumica e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët është qartë për ndryshimin e sigurt. Kryetari Taravari bën thirrje për urtësi, maturi dhe unitet që BDI përfundimisht të dërgohet në opozitë. Ndryshimi po vjen!", theksohet në publikimin në Fejsbuk të Taravarit.

Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari mbrëmë madje informoi se ASH do t'i bashkëngjitet frontit të opozitës shqiptare. Taravari mori mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe atij për Shoqëri Informatike dhe Administratë Azir Aliu, ndërsa u kundërshtua nga ish kryetari i partisë Ziadin Sela, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga dhe nënkryetarja Ilire Dauti. Ata e akuzuan Taravarin se si individ nuk mund të vendos për hapat e partisë, por organet partiake.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR