• e martë, 24 dhjetor 2024

Sekuestrohen rreth katër ton marihuanë në Josifovë të Vallandovës, 16 persona thirren në bisedë informative

Sekuestrohen rreth katër ton marihuanë në Josifovë të Vallandovës, 16 persona thirren në bisedë informative

Shkup, 13 dhjetor 2024 (MIA)- Nëpunësit policorë të Departamentit të policisë kriminalistike-Sektori për tregti të paligjshme me drogë dhe armë dhe SPB Strumicë-NJPB Vallandovë kanë sekuestruar rreth katër ton marihuanë nga një person juridik në fshatin Josifovë të Vallandovës.

Siç njofton MPB, në fund të muajit tetor dhe fillim të nëntorit 2024 te personi juridik për prodhim, tregti dhe shërbime me aktivitet prioritar, kultivim të kulturave tjera shumëvjeçare dhe licencë të fituar për kultivimin e marihuanës për qëllime mjekësore, është kryer kontroll nga Komisioni në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë me kërkesë të MPB-së dhe në prani të nëpunësve policorë nga Departamenti i policisë kriminalistike dhe SPB Strumicë - NJPB Vallandovë. Gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi të shumta në lidhje me marihuanën e prodhuar për qëllime mjekësore, dhe është njoftuar prokurori publik kompetent nga Prokuroria publike Gjevgjeli i cili ka dhënë urdhër për bastisje të personit juridik, me urdhër të lëshuar më parë nga gjyqtari në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore Penale Gjevgjeli dhe Komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë për plotësimin e kushteve për hapësirë, pajisje dhe personel për marrjen e lejes për prodhimin e marihuanës për qëllime mjekësore.

Nga kontrolli është konstatuar se në 500 kuti me rreth 1390 kilogramë, të cilat deklaroheshin me etiketë të ngjitur në çdo ambalazh se përmban lule të thatë THC, përmbajtja e paketimeve nuk përputhej me deklaratën. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë të paketimeve në Fakultetin e farmacisë në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” që deklarohen se përmbajnë lule të thatë marihuanë me THC. Nga ekspertiza u konstatua se përmbajtja e pakove është e falsifikuar, pra në vend të luleve të thata të marihuanës përmbajnë mbetje, degë, gjethe, biomasë dhe një pjesë shumë të vogël të luleve të thata të vogla të copëtuara, me çka është kryer vepra penale sipas nenit  95C dhe nenit 29G të Ligjit për drogat narkotike.

NJPB Vallandovë dhe DPK kanë kryer kontrolle dhe kanë marrë në pyetje 16 persona, mes të cilëve pronarë të personit juridik, ish drejtues, sigurim, si dhe punëtorë të cilët janë angazhuar për të prerë dhe pastruar marihuanën. U konstatua se rreth 1390 kilogramë marihuanë ishte e falsifikuar, si dhe u konstatua se biomasa me THC me një sasi prej 1629 kilogramë, për të cilën personi juridik ishte ngarkuar ta asgjësojë dhe ta njoftojë Ministrinë e Shëndetësisë, të njejtën nuk e ka asgjësuar dhe gjatë kontrollit është gjetur te personi juridik.

Gjithashtu është konstatuar se mungojnë rreth 11 kilogramë marihuanë e llojit “bulk globeri” dhe nuk është dhënë asnjë provë se ku është.

Nga kontrolli dhe bastisja është konstatuar se rreth 815 kilogramë marihuanë e korrjes së vitit 2023 ishte e paketuar në thasë polietileni, gjë që bie ndesh me Ligjin për kontrollin e narkotikëve dhe nuk ishte e paketuar, ruajtur dhe shënuar siç duhet. Qeset nuk ishin të mbyllura me shirit sigurie edhe pse personi juridik ishte i detyruar të vepronte në përputhje me nenin 29 F paragrafi 2 të Ligjit për kontrollin e drogave narkotike.

Pas sigurimit të të gjitha provave materiale nga NJPB Vallandovë deri te PTHP kompetente Gjevgjeli është paraqitur kallëzim penal për vepër penale të kryer nga neni 95 C, 29G të Ligjit për kontrollin e drogave narkotike ndaj drejtuesit të personit juridik U.R.G. (21) nga Bullgaria, ish drejtuesi L.S. (35) nga Novo Sella, kundër personit juridik si dhe kundër B.I. (49) nga Nov Dojran, B.I. (25) nga Strumica dhe N.G. (40) nga Strumica.

Prokurori publik nga PTHP Gjevgjeli ka lëshuar urdhër për konfiskimin e rreth 1390 kilogramë marihuanë të falsifikuar, rreth 1630 kilogramë biomasë me THC dhe rreth 815 kilogramë marihuanë me THC.

Gjithashtu, nga bastisja  dhe kontrolli i kryer është konstatuar se drejtuesit e regjistruar në personin juridik kanë paraqitur sasi më të vogël të luleve të thata se sasia reale dhe janë gjetur teprica të marihuanës. Komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka përgatitur vendim për heqjen e licencës për prodhimin e marihuanës për qëllime mjekësore të personit juridik", theksojnë nga MPB.

Foto: MPB

 

QËNDRONI TË LIDHUR