• e martë, 17 mars 2026

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rute arrin në Shkup

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rute arrin në Shkup

Shkup, 3 mars 2026 (MIA) - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski priti në aeroportin e Shkupit, Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rute i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.

"Është nder për mua të mirëpres Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute. Në kohë sfidash serioze të sigurisë është me rëndësi të veçantë që të kontribuojmë së bashku për sigurinë, paqen dhe stabilitetin", shkroi në Fejsbuk, Misajllovski.

Nga aeroporti i Shkupit, Rute së bashku me delegacionin e tij u nisën për në villën Vodno ku nikoqire e tij do të jetë presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova.

Sekretari i përgjithshëm do të pritet me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoni në Kabinetin e presidentes, pas çka do të vijojë takim tet-a-tet dhe mbledhje plenare e delegacionit të Maqedonisë dhe atij të NATO-s. Është paraparë edhe konferencë e përbashkët për shtyp e presidentes Siljanovska-Davkova dhe Rutes.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të ketë takim edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, pas çka do të mbajë fjalim para deputetëve në Dhomën ligjvënëse.

Rute do ta vizitojë edhe kazermën "Ilinden", ku do të marrë pjesë në prezantimin e grupit të lehtë këmbësorik të Batalionit të Armatës dhe një pjese të pajisjes së kësaj njësie.

Në ngjarjen do të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, gjeneralë të Armatës dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo është vizita e parë e Rutes si sekretar i përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor të vitit 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.

Në vitin 2023 për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut qëndroi njeriu i parë i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Foto: Misajllovski në Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR