Seancë e re për zjarrin në "Puls", vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria
- Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria publike, sot në gjykatë në "Idrizovë" vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan.
- Post By Besnik Shuki
- 08:36, 5 mars, 2026
Shkup, 5 mars 2026 (MIA) - Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria publike, sot në gjykatë në "Idrizovë" vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan.
Në seancën paraprake para Gjykatës dëshmuan anëtarë të grupit DNK dhe mysafirë të mbijetuar në diskotekë, të cilët i kanë përshkruar ngjarjet e natës më 16 mars vitin e kaluar, kur në zjarrin e humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.
Në cilësi të dëshmitares, dëshmoi vokali shoqërues i grupit DNK, Ana Kostadinovska, e cila tha se spërkatësit u ndezën gjatë këngës "Çfarëdo që të dojë, le të bëhet", gjë që, tha ajo, ishte praktikë e zakonshme në shfaqjet e tyre. Ajo theksoi se e ndjeu nxehtësinë dhe se vokalisti Panço tha të dilnin, por në fillim askush nuk e mori seriozisht situatën.
“Instinktivisht ngrita kokën. Po lëviznim ngadalë drejt daljes. Dera në të djathtën time ishte e mbyllur, kështu që morëm rrugën më të gjatë kur situata po përshkallëzohej”, tha Kostadinovska.
Ajo deklaroi se nuk e pa se kush i vendosi ose aktivizoi spërkatësit, duke shtuar se ishte e mundur që dikush nga ekipi teknik ose klubi ta ketë bërë këtë. Ajo ra në rrëmujë dhe u shtyp, dhe siç tha ajo, brenda kishte një erë të fortë, të cilën e përshkroi si diçka që e bënte të flinte. Ajo mori ndihmë nga një djalë, i cili, sipas njohurive të saj, shpëtoi disa njerëz. Për shkak të lëndimeve dhe djegieve, ajo u trajtua në Koçan dhe Shkup dhe, siç tha, ende po i ndjen pasojat.
Muzikanti Goran Tonev, i cili performoi si bashkëpunëtor i jashtëm, dëshmoi se ka pasur marrëveshje me gojë me tastieristin Filip Stefanovski që të performojë si kitarist me DNK dhe se natën ka mbërritur rreth orës 22. Mjetet piroteknike, sipas tij, tashmë ishin vendosur kur ishin ngjitur në binë.
“Asnjëherë nuk kemi folur në lidhje me piroteknikë, gjithnjë kemi folur për repertoarin dhe zërin. Nuk e di kush i ka vendosur, as kush i ka aktivizuar”, deklaroi Tonev.
Ai theksoi se rreth orës 2:30 të mëngjesit, Panço i tha publikut të largoheshin sepse tavani kishte filluar të digjej, pas çka zjarri u përhap jashtëzakonisht shpejt. Ai përshkroi se pjesët e djegura pikonin nga tavani, i mbuluar me shkumë izolimi, dhe hapësira ishte e mbushur me tym të trashë dhe temperaturë të lartë. Për shkak të djegieve në rrugët e frymëmarrjes, vesh, qafë dhe dorë, ai u trajtua në Selanik dhe ende nuk është në gjendje ta kryejë plotësisht profesionin e tij.
Gjykimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, në prani të të akuzuarve, të afërmve të viktimave dhe dëshmitarëve të shumtë. Procedurat po zhvillohen kundër disa individëve dhe personave juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike. Gjykimin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa Prokurorinë e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Zjarri në diskotekën në Koçan shpërtheu gjatë paraqitjes së bendit DNK dhe paraqet një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e dëshmive me paraqitjen e dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë. bsh/
Foto: MIA Arkiv