• e premte, 27 dhjetor 2024

Seancë e re gjyqësore për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Seancë e re gjyqësore për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Tetovë, 21 mars 2023 (MIA) - Në orën 10 sot duhet të mbahet seancë e re gjyqësore nga procesi gjyqësor për zjarrin që ndodhi në spitalin modular në Tetovë në vitin 2021 kur jetën e humbën 14 persona. 

Në seancën e fundit gjyqësore, që u mbajt më 2 mars, gjykatësi kërkoi që avokatët e mbrojtjes për sot të theksojnë se për cilat rrethana thirren dëshmitarët e propozuar nga ana e tyre. Gjykatësi caktoi edhe dy termine për seancë për muajin e ardhshëm për më 4 dhe 25 prill.

Para tri javëve në seancë dëshmuan eksperti i autorizuar gjyqësor për elektroteknikë dhe një grua e cila ishte shoqëruese e një njeriu i cili ishte në mjekim spitalor.

Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit klinik në Tetovë si person juridik theksuan se e kuptojnë akuzën, por se nuk e pranojnë fajin dhe se nuk i kanë bërë veprat për të cilat akuzohen.

Gjykimi për zjarrin që ndodhi më 8 shtator 2021 kur humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin lënduar filloi më 7 dhjetor të vitit 2022 pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë procesi gjyqësor ishte shtyrë disa herë. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR