Saveski: Vendimi për heqjen e kompetencave ndaj prokurores Ristoska nuk ishte personale, por e natyrës organizative
- Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski shpreh keqardhje për tërheqjen e Lençe Ristoskës nga pozita e prokurores dhe thekson se vendimi që mori për të revokuar të gjitha kompetencat që i ishin dhënë asaj nga paraardhësit e tij, nuk është personal, por e natyrës organizative dhe në asnjë mënyrë nuk i drejtohet punës së prokurores Ristoska.
- Post By Fami Bajrami
- 14:51, 2 prill, 2026
Shkup, 2 prill 2026 (MIA) - Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski shpreh keqardhje për tërheqjen e Lençe Ristoskës nga pozita e prokurores dhe thekson se vendimi që mori për të revokuar të gjitha kompetencat që i ishin dhënë asaj nga paraardhësit e tij, nuk është personal, por e natyrës organizative dhe në asnjë mënyrë nuk i drejtohet punës së prokurores Ristoska.
"Në parim, nuk dua të komentoj vendime personale, por përsëri shpreh keqardhjen time për vendimin e koleges Ristoska. U informova personalisht për këtë akt nga ajo përmes SMS-së pasi paraqiti dorëheqjen e saj, ndërsa arsyet i mësova nga mediat. Megjithatë, ajo që dua të theksoj është se Prokuroria publike mbetet pa një prokurore publike nga e cila prisja që me përvojën e saj vlefshme të kontribuonte në forcimin e kapaciteteve të këtij institucioni, veçanërisht me pozicionin e saj si prokurore për ndërlidhje me Eurojust. Vendimi për të revokuar të gjitha autorizimet e dhëna nga paraardhësit e mi nuk është personal dhe në asnjë mënyrë nuk i drejtohet punës së prokurores Ristoska", ka thënë Saveski.
Ky vendim, siç thekson ai është i natyrës organizative dhe qëllimi është rritja e funksionimit efikas të shërbimit të prokurorisë publike.
"Shfrytëzoj këtë rast për t'u bërë thirrje të gjithë prokurorëve publikë së bashku dhe secilit individualisht, që të mos lejojnë asgjë të ndikojë në integritetin tonë profesional dhe punën e përditshme. Njëherësh u bëj thirrje të gjitha subjekteve me ndikim shoqëror të krijojnë atmosferë ku reputacioni i shërbimit të prokurorisë nuk do të rrezikohet, sepse është në interes jo vetëm të shërbimit të prokurorisë publike, por edhe të të gjithë qytetarëve që ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre individuale, ndër të tjera përmes punës së këtij institucioni", ka thënë Saveski.
Të gjitha vendimet, që i marr që nga fillimi i mandatit tim dhe që do të vazhdoj t'i marr, shton ai, kanë për qëllim garantimin e pavarësisë dhe autonomisë në punën e Prokurorisë publike.
Prokurorja Ristoska sot dha dorëheqje nga posti i prokurores. Siç informoi ajo në një deklaratë me shkrim për mediat, dorëheqjen e deponon për shkak të vendimit që solli Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski për të tërhequr autorizimin e saj për përfaqësimin e lëndëve kyçe në fazën përfundimtare.
Foto: arkivi i MIA-s