Saveski: Jam i sigurt se do t'i përmbushim pritjet e qytetarëve, interesat e partive politike nuk janë interesi im
- – Prokurori i ri shtetëror publik sot dha deklaratë solemne në Kuvend, ndërsa para mediave tha se puna e tij do të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet, dokumentet e ratifikuara ndërkombëtare dhe standardet ndërkombëtare. Saveski u falënderua për mbështetjen dhe qëndrimet korrekte në lidhje me aspektet profesionale.
- Post By Fitore Curri
- 12:11, 19 mars, 2026
Shkup, 19 mars 2026 (MIA) – Prokurori i ri shtetëror publik sot dha deklaratë solemne në Kuvend, ndërsa para mediave tha se puna e tij do të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet, dokumentet e ratifikuara ndërkombëtare dhe standardet ndërkombëtare. Saveski u falënderua për mbështetjen dhe qëndrimet korrekte në lidhje me aspektet profesionale.
“Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua dhe në këtë moment dua t'i thërras të gjithë prokurorët publikë së bashku me mua, të cilët, edhe pse po e bëj këtë deklaratë, po e bëjnë punën e tyre. Puna e tyre as nuk fillon dhe as nuk mbaron me mua. Çdo prokuror publik ka detyrim ligjor të veprojë mbi rastet aktuale. Unë e njoh përbërjen prokuroriale dhe u besoj atyre dhe jam i sigurt se së bashku do t'i përmbushim pritjet e qytetarëve në emër të të cilëve, si dhe në emër të Kushtetutës dhe ligjeve, ne prokurorët publikë veprojmë”, deklaroi Saveski.
Ai i falënderoi kolegët e tij gjykatës të deridjeshëm, gjykatësit nga Gjykata Themelore Penale Shkup, Qeverisë, e cila e propozoi dhe deputetët që e mbështetën.
Prokurori i ri shtetëror tha se ka pritur mbështetje të gjerë, ndërsa interesat e partive politike nuk janë subjekt i interesit të tij, siç tha, “as dje, as sot, as në të ardhmen”.
Kuvendi dje me 66 vota "për", dy “kundër” dhe tetë “të përmbajtur” e zgjodhi Saveskin për prokuror të ri të shtetit.

Saveski do të jetë prokurori i nëntë republikan i Maqedonisë që nga pavarësia në vitin 1991 dhe i 19-ti që nga viti 1945. Zgjedhja e tij vijon pas dorëheqjes së ish prokurorit Lupço Kocevski.
Në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, neni 63, mandati i prokurorit shtetëror është gjashtë vjet, me të drejtë të rizgjedhjes.
Saveski, i cili deri më tani ishte gjykatës në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, prokuror publik shtetëror ishte nominuar nga Qeveria më 10 mars, ndërsa që ta marrë funksionin i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve. Kandidatura e tij vijon pas dorëheqjes së ish prokurorit Lupço Kocevski, ndërsa pas zbatimit të procedurës, në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.

Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, i martuar, baba i 3 fëmijëve dhe është magjistër i shkencave juridike – e drejta penale. Ka magjistruar në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" në USHCM- Shkup, ku edhe ka përfunduar studimet. Ka dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2003. Saveski nga viti 2016 është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më herët, nga viti 2009 deri në vitin 2016, punoi si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa nga viti 2004 deri në vitin 2009, ishte bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore në Gostivar. Në atë gjykatë prej vitit 2000 deri në vitin 2002 punoi si praktikant gjyqësor.
Nga angazhimet eksperte dhe ndërkombëtare në biografinë e gjykatësit Saveski, është theksuar se ishte ekspert në OSBE Maqedoni, ekspert në Konventën Kombëtare për BE-në - Kapitulli 23, si dhe ekspert në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID-it.
Është anëtar i grupeve të punës për reforma gjyqësore dhe ligjore, ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.
Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor dhe trajnues kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajnues për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë penale.
Ai është autor dhe bashkëautor i punimeve për masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifje dhe ofendim, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe udhëzues dhe publikime të tjera profesionale.
Flet gjuhën maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe ka njohuri bazë të gjuhës shqipe. fc/
ФОТО: МИА