• e enjte, 26 dhjetor 2024

Samit i shefave të shteteve dhe qeverive dhe takim ministror i PBEJL-së në Shkup

Samit i shefave të shteteve dhe qeverive dhe takim ministror i PBEJL-së në Shkup

Shkup, 13 qershor 2024 (MIA) - Samit i shefave të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL) dhe Takim i ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit, do të mbahet sot në Shkup si aktivitet përmbyllës në kuadër të kryesimit të vendit tonë me Procesin nën moton "Zhvendosja e ndarjeve, ndërtimi i besimit".

Në Samit, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Jorgos Gerapetritis, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Ivan Kondov, sekretari shtetëror në MPJ të Moldavisë, Sergej Mihov, sekretarja shtetërore në MPJ të Rumanisë, Daniella Gitman, ambasadori i Republikës së Sllovenisë, Gregor Presker, ambasadorja e Republikës së Kroacisë, Nives Tiganj, zëvendës drejtori administrativ në Shërbimin evropian për punë të jashtme të BE-së, Marko Makovec, sekretarja e përgjithshme e Këshillit për bashkëpunim rajonal, Majlinda Bregu dhe përfaqësuesja nga Komisioni evropian, Ana Vezirogllu.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do të jetë nikoqire e Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në PBEJL, në kuadër të të cilit, siç paralajmëruan nga Kabineti i Siljanovska Davkova, është parashikuar takim plenar i shefave të delegacioneve pas së cilit vitjon një konferencë e përbashkët për shtyp, e kryesuesit aktual, të mëparshëm dhe të ardhshëm me Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore.

 Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), do të jetë nikoqir i Takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit. Do të marrin pjesë delegacione nga 13 pjesëmarrës në Proces, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). 

Procesi për Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, si një forum për bashkëpunim rajonal, u themelua në vitin 1996 dhe përfshin të 13 pjesëmarrësit nga Evropa Juglindore me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjet rajonale, forcim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, promovim të dialogut dhe bashkëpunim dhe inkurajim të integrimit evropian dhe euroatlantik të vendeve të Evropës Juglindore. Në këtë drejtim, synimet kryesore të PBEJL-së janë përparimi e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe drejtësisë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR