• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Saliu në konferencë donatorësh do t’i prezantojë projektet për ndërtimin e shtëpive, qendrave kulturore dhe trajnime për komunitetin rom

Saliu në konferencë donatorësh do t’i prezantojë projektet për ndërtimin e shtëpive, qendrave kulturore dhe trajnime për komunitetin rom

Shkup, 21 nëntor 2024 (MIA) - Ministri për integrimin e romëve, Shaban Saliu në një konferencë për media në Qeveri, informoi sot se në konferencën e donatorëve në prani të më shumë se 30 ambasadave do t'i prezantojë katër projektet për përmirësimin e jetës së komunitetit rom që janë pjesë e strategjisë së përfshirjes së romëve 2022-2030.

Si një nga projektet e rëndësishëm për komunitetin rom, Saliu ka theksuar projektin për ndërtimin e banesave në 15 komuna në mbarë vendin të cilat do të dedikohen për romët që nuk kanë banesë të tyre ose jetojnë në shtëpi të improvizuara.

"Një nga projektet e rëndësishme është ndërtimi i 1001 banesave në 15 komuna të vendit tonë, për të ndihmuar ata qytetarë që nuk kanë shtëpi apo ata qytetarë që jetojnë në shtëpi të improvizuara, në gjendje të rëndë ekonomike materiale", tha Saliu.

Projekti i dytë, shtoi ai, do të jetë në sferën e kulturës, pra ndërtimi i një qendre kulturore që siç tha nuk ekziston në rajon.

"Një qendër të tillë në këtë moment në vendin tone, madje edhe më gjerë nuk ka. Ajo qendër kulturore duhet të jetë seli e vizituar nga të gjithë qytetarët e komunitetit rom. Duam të bëjmë një muze në lidhje me karakteristikat specifike të komunitetit rom. Gjithashtu, një teatër dramatik amator i cili pastaj mund të zhvillohet më tej në teatër profesional. Një grup entuziastësh dhe atyre që e duan poezinë, të mund t'i praktikojnë, pastaj të studiojnë gjuhët, të përgatiten fëmijët parashkollorë dhe ata që janë të interesuar për aftësi kompjuterike dhe gjëra të tjera", ka thënë Saliu.

Projekti i tretë, tha ai, ka të bëjë me trajnime me profesionistë për qytetarët nga komuniteti rom që nuk kanë arsim adekuat të trajnohen për punësim të mëtutjeshëm.

"Rikualifikimi i trajnimeve do të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe do të jetë me ekspertë, specialistë në drejtim të trajnimit të atyre qytetarëve romë, si dhe të tjerëve që nuk kanë arsim adekuat. Pra, do të punohet më tej për zgjerimin e ndonjë shkolle për t'u mundësuar qytetarëve të rritur riorganizimin e tyre, të përfundojnë arsimin e mesëm dhe paralelisht të trajnohen në një strukturë të veçantë. Projekti i katërt që do të prezantojmë është përfshirja digjitale e romëve. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, e dimë se sa e rëndësishme është inteligjenca artificiale në vendin tonë dhe në botë dhe përmes kësaj përfshirje digjitale të romëve, përmes kurseve të ndryshme me ndihmën e ambasadave dhe ekspertëve të kësaj fushe, duam të trajnojmë romët se si mund të jenë një fuqi punëtore cilësore në të ardhmen, të mund të konkurrojnë në treg me njohuritë e tyre", ka thënë Saliu.

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR